
Murtezaj akuzon Hotin për nepotizëm: “Kryeministri e di për familjarët që ka punësuar”.
Ilir Murtezaj, i shkarkuar nga posti i drejtorit të ATK-së, ka pasur një sërë kritikash ndaj kryeministrit Avdullah Hoti.
Hoti e shkarkoi të premten nga kjo detyrë Murtezajn.
Murtezaj, të shtunën, në një konferencë për media, ka folur edhe për nepotizëm.
“Ky kryeministër ka qenë ministër i Financave ku ka lejuar që të pranohen njerëz në ATK. I kanë marrë fëmijët e gjyqtarëve, deputetëve, fëmijën e gazetarit dhe gjithë këtyre njerëzve. Pse? Për të bërë kr’imin e organizuar. Kryeministri e din edhe për familjarët që ka punësuar në Ministrinë e Financave, nepotizmi ndryshe nuk është”, shprehet Murtezaj, raporton KOHA.
Sipas Murtezajt, rastet e përmendura i ka proceduar edhe në organet e drejtësisë dhe ka bërë thirrje që të hetohen.
“Si rezultat i këtyre të këqijave dhe luftimit tim ndaj këtyre jam bërë i padobishëm dhe kryeministri merr vendim në mes të natës. Këto nuk i potencova vetëm pse jam liruar nga detyra, por ato janë proceduar në kanalet e drejtësisë. Ftoj prokurorinë, gjykatën dhe policinë që t’i vazhdojë këto procedura deri në vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve të ATK-së. Në ATK ka njerëz të mirë, të mrekullueshëm. Por ka njerëz në ATK që nuk e kanë vendin n ATK, por në burg”, thotë tutje ai.