Dua Lipa? Jo, faleminderit, kemi Goranin!

19:29 | 09 August 2021

Sotiraq Filo ndoshta ka dëgjuar pak ose aspak për Goran Bregoviçin deri ditën që nga qendra i erdhi fermani që ai do të këndojë në festën e Birrës. Korçarët nuk janë shquar ndonjëherë si adhurues të muzikës sllave.

Shijet e tyre enden mes serenetave të qytetit, por deri diku dhe tek muzika greke e cila dikur dëgjohej fshehurazi nga valët që vinin përtej kufirit përmes radios. Natyrisht si qytetar i Korçës përjashtim nga kjo nuk bën as Sotiraqi. Por, si kryetar i Bashkisë, është i detyruar të mbrojë proçkën që i bëri shefi i tij nga Tirana.

Goran Bregoviçi mund të jetë vërtet një muzikant i mirë në nivel ballkanik, por edhe atë botëror pavarësisht se nuk janë të shumtë ata që e njohin emrin e tij në perëndim. Mund edhe të mos ketë lidhje me politikën, siç ai pretendon. Edi Rama nga ana tjetër mund të ketë arsyet e tij në raport me Vuçiçin që na e bën peshqesh herë pas here. Ja të themi që edhe muzika e tij është e këndshme dhe mund të ketë një pakicë shqiptarësh që e paskërkan dëgjuar. Pra janë një mori arsyesh (asnjëra thelbësore) që e kanë shtyrë shefin e qeverisë qe nën kujdesin e Sotiraqit të Korçës të ftojnë artistin serbo – boshnjak në një festë lokale.

Por ama, nuk duhet harruar fakti se matanë kufirit jetojnë më shumë se dy milionë shqiptarë të Kosovës, që po ulërasin me të drejtë që Bregoviç të mos performojë në Shqipëri dhe jo pa arsye. Ata i kanë ende të freskëta kujtimet e viteve 90-të kur xhipat e çetnikëve, nën ritmet e këngës “kallashnikov” të Goranit mësynin në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Raçak e Prizren për të bërë atë që dinin të bënin më mirë.

Vrasje, përdhunime, spastrim etnik. Të mbijetuarit e njohin mjaft mirë atë muzikë e cila i kujton ndoshta momentin më të errët të jetës së tyre. Natyrisht Bregoviç s’mund të jetë fajtor për muzikën që ai krijoi, por është fajtor se nuk u distancua asnjëherë, nuk i dënoi kurrë ato krime që si himn kishin muzikën e tij. Dhe kjo ështe politikë që çke me të. Dëshmitarët e atyre masakrave janë ende gjallë dhe janë shumë.

Çka e bën të dhimbshme dhe ironike njëkohësisht situatën është fakti se për dhjetë ditë rresht në Shqipëri qëndroi një nga këngëtaret më të mira të momentit në hitin ndërkombëtar. Dua Lipa, shqiptarja nga Kosova, emrin e të cilës pak mund të jenë ata njerëz në rang botëror që nuk e njohin. Kënga e saj New Rules në vitin 2018 (2.4 miliardë klikime në YouTube) do të renditej e para në Britani, e gjashta në USA dhe e katërta në Australi. Në gjimazet e Londrës ajo këndohej në formë himni përpara fillimit të shkollës. Pra është një artiste e cila për nga fama ka lënë pas emra të njohur të skenës dhe artit ndërkombëtar.

Një artiste që i jep një tjetër dimension vendit ku ajo shkel dhe mjaft mirë mund t’i bëhej një ofertë për kënduar në festën e Korçës. Fakti është se asaj nuk ju bë kjo ftesë. U përdor për foto propagandë nga krerët e qeverisë dhe pushtetit dhe në fund i thanë “Faleminderit por kemi Goranin”. Artistja e madhe iku ndërsa shqiptarët u përfshinë në një debat për muzikën çetnike të zotit Bregoviç.

Rama e të tjerë mund të jenë adhurues të muzikës sllave. Ata mund edhe ta quajnë si çështje dytësore Kosovën, çka u pa dhe në karshillëkun e minishengenit. Por ama si kreu i shtetit shqiptar ka detyrimin të dëgjojë protestën e gjysmës tjetër të shqiptarëve të Kosovës. Ai mund të jetë kryeministër i Shqipërisë, i zgjedhur ashtu siç e di ai, por kjo si jep të drejtën asesi të nëpërkëmbë ndjeshmëritë kombëtare.

Sepse plagët e luftës së Kosovës janë ende të hapura dhe muzika e Bregoviçit për ata shqiptarë atje është thjesht një thikë që rrotullohet në to. Prandaj ai këngëtar me lidhje ose jo me politikën nuk mund të këndojë në këtë vend, qoftë dhe në një festë lokale si ajo e birrës në Korçë. Ashtu si asnjë prej artistëve tanë të Shqipërisë dhe Kosovës nuk është lejuar të performojnë në Beograd pavarësisht famës së tyre.

Kërkesa e artistëve dhe shqiptarëve të Kosovës, është detyrim për t’u dëgjuar dhe s’mund të varet nga humori i Ramës apo aq më pak i Sotiraq Filos. Bregoviç mund të jetë një artist i mirë për Serbinë, por për shqiptarët është një kujtim i keq, pak rëndësi ka nëse ka qenë fajtor direkt apo jo./Mapo. al

Komento: