Dukagjin Gorani: Kurti e Vuçiq kanë ardhur në pushtet duke i quajtur tradhti negociatat mes dy vendeve

21:22 | 16 Mars 2023

Gorani: Kurti e Vuçiq kanë ardhur në pushtet duke i quajtur tradhti negociatat mes dy vendeve.

Gazetari Dukagjin Gorani derisa ka folur për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje me Serbinë në takimin e Ohrit më 18 mars, tha se dështimi i kësaj marrëveshje i konvenon opozitës.

Gorani në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, besojnë se ky proces i dialogut ua ka mundësuar ardhjen në pushtet qeverive të caktuara, e që dështimi i këtij procesi do t’i detyrojë që këto qeveri ta lëshojnë pushtetin.

“Nëse merret parasysh qysh po zhvillohet dinamika edhe këtu edhe në Serbi, më së shumti i konvenon opozitave të dy shoqërive. Opozitat e kanë hetu që bëhet fjalë për një lloj të procesit politik, që është jetik për mbetjen ose rënien të pushtetit të administratave aktuale.

Si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, ekziston bindja që qito marrëveshje edhe ky proces i dialogut ua ka mundësi ardhjen në pushtet qeverive të caktume, dhe dështimi në këtë proces të dialogut ka me i detyru me i lëshu pushtetin”, tha Gorani.

Tutje, Gorani tha se në Serbi, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka ardhë në pushtet duke i sulmuar qeveritë e kaluara për tradhti të interesit nacional serb.

“Sot pikërisht qato estabilishmente që e kanë demonizu idenë e dialogut, që e kanë prodhu krejt këtë kulturë politike e ideologjike, që thotë se dialogu me palën tjetër, që në vete është akt armiqësor ndaj vendit dhe tradhti ndaj shoqërisë, këto sot e kanë problem me tejkalu situatën që tashmë është shndërru në normë.

Në Serbi, Vuciqi është ardh në pushtet tu i sulmu pushtetet e mëhershme që e kanë tradhtu interesin nacional serb, duke e nis procesin e dialogut me Kosovë. Sot, partia e Vuçiqit bën shpeshherë gjera që munen me qenë paralele edhe me mënyrën qysh funksionojnë pushtetet në rajon, e ajo është e sulmon opozitën për gjërat e kaluara”.

Po ashtu, Gorani thotë se e njëjta po funksionon edhe në Kosovë, pasi që sipas tij, opozita po mundohet t’i tregojë qeverisë Kurti se pranimi i një marrëveshjeje të tillë është një lloj i tradhtisë së premtimeve që i ka bërë për të ardhur në pushtet.

“Ngjashëm po funksionon edhe te na, është një opozitë që po përpiqet me i tregu qeverisë Kurti që pranimi i kësaj marrëveshje është një lloj i tradhtisë, i premtimeve që kjo qeveri ka ardh në pushtet”.

“Sot jemi në situatë të disonancave të mospajtimeve kongnitive që thojnë që janë të hapura, qysh është e mundur një marrëveshje që ka pas me u nënshkru prej qeverive të kaluara, me u konsideru e keqe dhe tradhti edhe e njëjta marrëveshje që nënshkruhet sot është e mirë dhe e dobishme për vendin.

Qysh është e mundur që nëse një kryeministër e nënshkruan një marrëveshje është tradhtar, e nëse një kryeministër tjetër e nënshkruan të njëjtën marrëveshje është atdhetar”.

Komento: