Kemi mbërritur në një situatë, në të cilën korpusi politik i vendit nuk ka potencial me e shty përpara vendin, madje, nuk ka potencial as me e ndalë shkuarjen prapa. Në skenën rajonale janë ndërruar rolet; kryesit e krimeve janë rikthyer si zgjidhje për të gjitha problemet që i patën krijuar dy dekada më parë. Asokohe ata mbase ishin figurantë, por sot janë bosët e lojës së njëjtë. Oligarkët bëjnë pazar gjithçka!
Te ne, aq gjatë është në skenën politike të këtij vendi, sa më nuk janë të nevojshëm titujt e as mbiemri për ta kuptuar për kë është fjala. Mjafton me thanë Hashim edhe e kuptojnë të gjithë se për kë është fjala. Thuaj dur Hashim dhe krejt e kuptojnë për çka është fjala. Thuaj këtu ka një dallavere, një intrigë, një keqkuptim, një konflikt i nxitur nga dikush, një marrëveshje sekrete, një përçajë dhe sundo dhe hiç mos ia përmend emrin. E dinë njerëzit, kush, ku, kur, sa… por, çka me ba njerëzit e gjorë ? Po thonë të gjithë: ndërkombëtarët po e duan. Populli nuk e voton, por atë gjithnjë e ke mbi kurriz. Disa thonë se e kanë në grusht, prandaj e duan. Disa të tjerë thonë se ky po i mban në grusht.
Askush nuk po e di ku e ka fuqinë dikush, ai i cili e përfaqëson një vend të vogël, të varfër dhe të panjohur ndërkombëtarisht dhe i cili ulet në radhë me superfuqitë. Në rregull, mund të thoni se ngjashëm ndodhë edhe me kryeministrin shqiptar i cili me çitjane apo me atlete shkon në mega-konferenca, por Edi Rama është rast i veçantë: me vetëdije e ka marrë rolin e argëtuesit rajonal dhe të “dasmave” të tjera ku e thirrin. Me një fjalë, bëhesh palaço dhe merr pëlqime sa të duash. Dridhi të pasmet dhe akademikët nuk kanë gjasa në përballje me ty në rrjetet sociale.
Por, ky nuk është argëtues. Është Hashim. Ende nuk e ka vu ligjin anti-media, sikur Rama, por nëse e thyen koalicionin e ndryshimeve, edhe mundet ta bëjë. Pastaj, mund të shpallet mbret. Sikur Zogu dikur! Pas gjashtë muaj qëndrimi në Beograd, Zogu, me mercenarë rusë, serbë dhe kosovarë u pat kthyer dhe e pat marrë Tiranën nga Noli dhe “demokratët” tjerë.
Sido që të jetë, ky mbeti se mbeti mbi kalë këto 20 vite dhe hiç mos u lodhni me ia ngjitë emrin kalit, Kush është “kali” në këtë rrëfim melodramatik, tragjikomik të quajtur Kosovë? “Kali” është fenomen kolektiv, mazohist, i cili po e kërkonte një zëvendësim për pushtuesin e huaj. Po e kërkonte një vendor me ia heq mallin e… po e dini. Kot çlirimi! Duhet të mësohesh edhe me lirinë. Nuk është kjo ikja e parë kolektive nga liria. Na kanë bindur se nuk jemi të zotët të bëjmë shtet, të qeverisemi vet. Na kanë hapur disa herë korridoret humanitare. Duhej pra një kalorës, një person, një shalë për këtë komunitet.
Sidoqoftë, viktima, qytetari, më nuk është qytetar, as katundar, sepse e kanë emëruar me shumë emra; e kanë nda në shumë identitete të njëjta me objektiva të ndryshme në dizajnë, por qytetari kritik ka ikur nëpër kampe azilantësh, ka ikur nga Çmendina.
E, Hashimi është bërë nervoz, është shqetësuar, e ka humbur durimin krejtësisht dhe po i ngreh lëvizjet për ashiqare, jo për tjetër përpos se ka rënë besimi në fuqinë e tij. Nëse dyshohet në fuqinë e tij, gjithçka rrënohet. Fillimisht bie miti. Gjarpri bëhet me këmbë.
Afatet kushtetuese, sanksionet për mos respektim afatesh, ftesat të cilat po ia përmend mandatarit të ardhshëm, e shpërfaqin Hashimin të pasigurte në të ardhmen e vet politike, sidomos në të ardhmen e vet historike. Historinë personale të shkruar me fondet e shtetit, qoftë në gjuhët e huaja, qoftë në gjuhët vendore, nuk po e lexon më askush. Nuk po lexon rinia, ankohen të gjithë. Ka rënë kureshtja.
Nuk po kryen punë më as media e “lirë” , as statuset e “dostave” të pasuruar nëpër mediat lokale apo nëpër rrjete sociale.
Derisa Berisha, (ar)miku i Hashimit për shembull, i pasuruar skajshëm, i pensionuar “për së gjalli” politikisht, po mjaftohet të jetë hero i gjeneratës në rrjetet sociale me deklarata komike, Hashimi nuk e ka sensin e tij për humor. Nuk e ka as qytetarin aq të korruptueshëm dhe të gatshëm të luajë pafundësisht video lojën “Gerasimov”. Në Shqipëri, për ta hequr një kryeministër apo një president, nuk ka dert se e shkatërron shtetin. Shtetin e bën prapë, kur të duash, por Berishën apo Ramën nuk e heq dot kur të duash.
Një politikan, apo politikë, mund të mbijetojë pafundësisht në këtë lojë, përderisa e mban konjuktura ndërkombëtare e kaosit. Por, a do të mbijetojë shteti, qytetari, populli? Mos jini të sigurte! Dikur popujt ishin të përjetshëm, politikanët shkonin e vinin. Sot popujt janë bërë refugjatë, të lëvizshëm, të rrjedhshëm. Të rrjedh populli ndër duar, Hashim, të ikë, ta lë tokën djerrë, vendet e punës bosh… krejt deri në Merdare mbetet e jotja dhe e zbrazët. Mund të mbetesh në shtet, politikë, me çdo kusht dhe me ndihmën ndërkombëtare, por duhet të importosh popull tjetër, ashtu si importojnë sportistët klubet tona, pasi talentet vendore mbajnë ngjyra të huaja.
Pra, dur Hashim. Prite radhën. Me “Gerasimovin” mund ta fitosh mbase përsëri politikën, por do ta humbasësh historinë. Mund të fitosh lojën, edhe milionat, por do ta humbasësh kuptimin…!