Shkruan: Mehmet Hajrizi
1. Hyrje
Heronjtë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha bënë epopenë e qëndresës epike më 11-12 janar të vitit 1984. Kundër forcave të shumta të regjimit pushtues, në një luftë të pabarabartë ata rënë heroikisht në altarin e lirisë.
Rexhepi dhe Nuhiu lindën në një ambient luftarak, u edukuan në frymën luftarake dhe ranë dëshmorë si luftëtarë të pamposhtur.
Duke qenë veprimtarë me stazh të gjatë, të kalitur në aksione dhe të formuar intelektualisht e profesionalisht, rënia e tyre i dëmtoi rëndë radhët e organizuara të rezistencës kundër pushtimit.
2. Faktorët e formimit
Dy heronjtë ishin formuar me ndikimin e ideve të lirisë; nga trashëgimia e brezave pararendës të luftës kundër regjimit serb e jugosllav; me shembullin patriotik dhe luftarak të familjeve të tyre, me literaturën e zgjedhur dhe përparimtare të kohës si dhe me materialet interne të shtypit klandestin të organizatës ku militonin në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.
Jeta organizative çlirimtare përbënte jo një, po disa universitete bashkë në formimin e personalitetit me integritet të lartë, vendosmëri dhe përkushtim vetëmohues. Ata u bënë kështu shpejt tribunë të rinisë dhe popullit të Kosovës.
3. Figura morale
Nuk ka forcë tjetër si ideali për atdheun dhe lirinë e tij t’i bashkojë pandashëm njerëzit. Kjo forcë shpirtërore dhe dashuria me dhembje e vetëmohim i lidhi shpirtërisht Rexhepin dhe Nuhiun, për të mos u ndarë kurrë. Prandaj bashkimi i tyre nuk ishte i interesave efemere apo kombinacion politik pazaresh, por përbashkim rreth flamurit kombëtar.
Rexhepi dhe Nuhiu përbëjnë simbiozën e gërshetimin e ndërvarur dialektik midis formimit teorik dhe veprimit luftarak praktik, midis frymës revolucionare dhe prakticizmit.
Kontekstet historike, apo epokat nxjerrin në skenë personalitetet e veta, si përfaqësues të tyre. Rexhepin dhe Nuhiun i nxori populli shqiptar nga gjiri i vet, si promotorë të lëvizjes çlirimtare dhe të bashkimit kombëtar. Ata nuk mund të ishin të tillë pa qenë njëkohësisht edhe përfaqësues të moralit politik e kombëtar, përfaqësues të virtyteve më të larta të traditës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të integritetit të luftëtarit hero të lirisë.
Organizatës çlirimtare Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK-OMLK), ku vepronin heronjtë tanë, vitin e kaluar iu shënua 50-vjetori i themelimit, kurse sot shënojmë 40-vjetorin e rënies heroike të Rexhepit dhe Nuhiut. Veprimtaria e gjatë dhe shumëdimensionale e kësaj organizate, mundësoi edukimin dhe kalitjen luftarake të veprimtarëve, si shëmbëlltyrë të vlerave sublime.
4. Ndikimi te brezat
Refreni shqiptar “bie një, ngrihen me mija” është përsëritur gjatë në historinë tonë kombëtare. Si jehonë thellë nga historia kjo parullë kushtrimi e përshkoi gjithë Lëvizjen e re Kombëtare Shqiptare dhe pashmangshëm edhe luftën finale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rënia e korifenjve të rezistencës, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, veç boshllëkut që u shkaktoi radhëve të organizuara çlirimtare, pati edhe ndikimin e ngritjes dhe ringjalljes prej feniksi e të zgjerimit të Lëvizjes në progresion gjeometrik.
Shumë shpejt shembullin e tyre e ndoqën bashkëluftëtarë të tjerë, për të shpërthyer një ditë epopeja e madhe e UÇK-së. Epo ky është misioni i përjetshëm i dëshmorëve; frymëzues dhe projektorë ndriçues të horizonteve të brezave pa mbarim. Rexhepi dhe Nuhiu, si gjithë dëshmorët janë shkollë përherë e hapur e edukimit atdhetar e luftarak.
5. Pjekja e faktorëve
Pas kthimit të Rexhepit nga burgimi i gjatë, filluan përpjekjet për formimin e strukturës politike-ushtarake për të kaluar në forma të veprimit me forcën e armëve.
Mund të thuhet që faktorët subjektivë tashmë ishin pjekur për kryengritje të armatosur, sepse Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte fuqizuar me disa dhjetëra organizata, duke shtrirë radhët në të gjitha territoret shqiptare nën Jugosllavinë dhe me mijëra anëtarë të motivuar për forma më radikale të luftës. Megjithatë duhej pritur edhe pak kohë (jo më shumë se një dekadë) që të piqeshin edhe faktorët objektivë historikë të kryengritjes së armatosur.
6. Konteksti historik
Në kohën kur vepruan Rexhepi dhe Nuhiu, konteksti historik, gjeopolitik e gjeostrategjik global nuk ishin aspak në favor të një përmase të luftës së armatosur në Kosovë. Sistemi bipolar botëror, Lufta e Ftohtë, pozita ndërkombëtare e Jugosllavisë, Konferenca e Helsinkit dhe ndarja e zonave të influencës përbënin pengesën serioze për një revolucion të armatosur nacionalçlirimtar të shqiptarëve nën ish Jugosllavi.
7. Ndërlidhja e fazave
Rebelimin e fjalëve, Rexhepi edhe më herët, qoftë edhe duke djegur etapat, mendonte ta ngrinte në shkallën më të lartë të rezistencës; në rebelimin e armëve. Ishte literatura e brendshme dhe ajo e jashtme që i frymëzonte çlirimtarët Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, drejt kësaj shkalle supreme të LKSH, por edhe përvoja jo e largët e rezistencës së armatosur të Kosovës, që nga Drenica legjendare e Shaban Polluzhës dhe deri në Anamoravën e Mulla Idrizit me bashkëluftëtarët e tij.
Heronjtë tanë me intuitën e mprehtë e ndjenin qartë nevojën e afrimit të atij çasti historik, por edhe domosdoshmërinë e përgatitjes së tij.
Përgjatë viteve të vrullshme tetëdhjetë hovi i zhvillimit të LKSH ishte i pandalshëm. Gjenerata e veprimtarëve të kësaj dekade, me drejtues Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata etj, duke vepruar në kushte të reja, sidomos në kapërcyell të saj, filluan përgatitjet e luftës së armatosur, duke u bërë pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me shembjen e sistemit komunist dhe të Bashkimit Sovjetik, me kryengritjet demokratike në bllokun socialist, diku paqësore e diku të përgjakshme, me rendin e ri botëror unipolar (SHBA), rrënimin e Murit të Berlinit dhe me erën e barotit që i vinte perandorisë së Titos, konteksti i ri historik nuk ishte më sikur para dhjetë vjetësh.
Oshtima e armëve të Nuhi Berishës dhe Rexhep Malajt në Kodrën e Trimave më 1984 dhe e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut më 1989 në Kodrën e Diellit, paralajmëronin, vitin e afërt të oshtimës së armëve të UÇK-së në Kosovë, diellin e lirisë.
8. Rënia e dëshmorëve
Jeta prej heronjsh e Rexhepit dhe Nuhiut s’kishte si të mbyllej veçse me një akt heroik, si kapak floriri, për të mbetur përjetësisht heronj të gjallë. Rexhepi dhe Nuhiu përbëjnë simbolin e qëndresës stoike dhe të pareshtur.
Ata ranë me armë në dorë, duke bërë pagëzimin e zjarrit, flakët e të cilit do ta përfshinin shumë shpejt gjithë Kosovën për t’i dhënë fund robërisë shekullore.
9. Studimet historiografike
Studiuesit e vërtetë dhe objektivë duhet të hedhin dritë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas parimeve dhe kritereve shkencore. Trashëgimia e kësaj lëvizjeje nuk mund të shpjegohet e as studiohet në mënyrë skolastike dhe me ngarkesa politike, sepse kështu devijohen esenca dhe faktografia historike.
10. Përfundim
Rexhep Malaj e Nuhi Berisha ishin dhe mbeten shëmbëlltyra e lavdishme e ushtarit besnik të popullit të vet dhe betimit solemn që kishin bërë. Ata me gjakun e tyre i vulosën parimet drejtuese të veprimtarisë dhe të jetës së shkurtër që patën. Por, ndryshe nga ne të gjallët e përkohshëm, ata u bënë përjetshëm të gjallë. Heronjtë tanë i mbajnë gjallë brezat e sotëm dhe të ardhshëm, sepse janë e do të jenë të ndërgjegjshëm që dëshmorët vdesin vetëm kur harrohen, por pas tyre vdes edhe kombi.
Për këta heronj janë shkruar monografi, vepra artistike, artikuj studiues e përkujtimorë, poezi e këngë, janë hedhur ngjyra në pëlhurë e janë bërë vepra skulpture në bronz dhe dokumentarë, kurse rrugë, sheshe, lagje dhe institucione mbajnë emrat e tyre, por mbi të gjitha ata janë skalitur në zemrat e shqiptarëve në gjithë gjeografinë e tyre.
(Fjalë në dyzet-vjetorin e rënies heroike të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës)