
Lajmin e ka konfirmuar menaxherja e kësaj qendre, Shkurta Bogujevci, e cila tha se rastet janë trajtuar me kohë dhe personat e përfshirë janë dërguar në stacionin policor.
“Gjatë gjithë ditës nuk ka pasur probleme përveç atyre dy incidenteve që kanë ndodhur, janë vërejtur nga kryesuesit e qendrave të votimit, janë lajmëruar menjëherë te menaxheri edhe është lajmëruar policia. Policia ka marrë hapat e duhur, është thirrur prokurori, ka ardhur komandanti dhe janë dërguar në stacion policor,” tha ajo.
Duke folur për pjesëmarrjen në votime, Bogujevci u shpreh se deri në mesditë dalja e qytetarëve ka qenë e ulët.
“Krahasim me numrin që kanë të drejtë vote është 4784, deri në ora 13:00 vetëm 561 votues kanë dalur, nuk është shumë i kënaqshëm,” tha ajo.
Për incidentin ka reaguar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila konfirmoi ndalimin e dy personave nën dyshimin për veprën penale “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, sipas nenit 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve, është sekuestruar një telefon, i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore. Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit,” thuhet në njoftimin e prokurorisë./Ekonomia Online