E FUNDIT: Mesazhet provokuese ndaj Kosovës, ky është vendimi i UEFA-s për Çekinë

14:02 | 21 Dhjetor 2019

UEFA dënon Çekinë për mesazhet provokuese në ndeshjen kundër Kosovës.

Organi Disiplinor i Etikës dhe Kontrollit në UEFA ka vendosur që ta dënojë Federatën e Futbollit të Çekisë me 17,750 euro për mesazhe politike provokuese dhe hedhjen e gjësendeve në fushë gjatë ndeshjes kundër Kosovës.

Çekia e priti Kosovën më 14 nëntor në Doosan Arena për ta zhvilluar ndeshjen vendimtare për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020 nga Grupi A. Çekia e fitoi atë ndeshje me rezultat 2:1 dhe rrjedhimisht e siguroi një vend në EURO 2020, bashkë me Anglinë, transmeton Express.

Megjithatë, Çekia tani është gjobitur me 17,750 euro për rrjedhën e asaj ndeshjeje, pasi që tifozët çekë kishin gjuajtur gjësende dhe kishin bërë thirrje politike provokuese drejt Kosovës gjatë ndeshjes.

Këtë lajm e ka bërë të ditur faqja zyrtare e UEFA-s përmes një deklarate të lëshuar për media.

“Organi Disiplinor i Etikës dhe Kontrollit (CEDB) në UEFA e bën të ditur vendimin e mëposhtëm për ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian mes Çekisë dhe Kosovës (2:1), të luajtur më 14 nëntor 2019”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga UEFA.

“CEDB ka vendosur ta gjobitë Federatën e Futbollit të Çekisë me 17.750 euro për mesazhe politike provokuese dhe për gjuajtjen e gjësendeve”.

Incidentin gjatë ndeshjes e kishte raportuar te gjyqtari kryesor kapiteni Amir Rrahmani, pasi që portieri kosovar Arijanet Muriçi ishte ankuar për thirrjet e tifozëve çekë.

Federata e Futbollit e Çekisë u kishte kërkuar tifozëve që të mos bëjnë thirrje provokuese gjatë ndeshjes pasi që mund të ndëshkohen me minus pikë në grup, si dhe kishte marrë vendim që t’iu shiste bileta në anën e vendasve vetëm personave me nënshtetësi çeke.

Megjithatë, ky tentim dështoi dhe në stadiumin Doosan Arena pati thirrje “Kosova është Serbi” si dhe ishin të vendosur disa flamuj serbë. Disa tifozë çekë ishin arrestuar në Kosovë për ndeshjen e parë mes dy vendeve, pasi që ishin kapur nga policët me një dron dhe një flamur të Serbisë ku shkruhej “Kosova është Serbi”.

Komento: