E thotë qeveria: Nuk ka pako fiskale pa përfunduar pandemia

22:28 | 25 Maj 2021

Mijëra punëtorë e biznese janë mbetur pa punë e kanë falimentuar në kohën e pandemisë.

Kosova është ndër vendet e Gadishullit Ballkanik që ka ndihmuar më së paku bizneset, gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

E sektorët që u dëmtuan më së shumti janë gastronomia, ndërtimi, tregtia e prodhimi.

Kështu thuhet në raportin e Odës së Afarizmit të Kosovës, që u prezantua të martën para biznesmenëve e përfaqësuesve rajonalë të ekonomisë.

Por, ndërmarrjet kosovare mund edhe të mos presin ndonjë pako të re nga shteti, deri sa të përfundojë pandemia. Kjo, të paktën, sipas ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Më mirë të ndihmojmë mirë pas pandemisë, se sa copë pas cope dhe pastaj pa rezultat”, u shpreh Hajdari në konferencë.

Sipas hulumtimit, më së miri në këtë aspekt ka dalë Maqedonia e Veriut që ka miratuar gjashtë pako fiskale. Shqipëria e Mali i Zi pësuan goditje në turizëm gjatë verës. Madje shteti shqiptar pati vështirësi shtesë, pasi koronavirusi u shpërnda pak pas tërmeteve që e goditën,KlanKosova.

Ndryshe nga këto, menaxhim më stabil të ekonomisë ka gëzuar Sllovenia, ku periudha pandemike ka pasur edhe efekte pozitive në ekologji dhe shitje online

Përfaqësuesit e odave ekonomike kërkuan nga qeveritë mbështetje më të madhe të sektorit privat. Krahas kësaj, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, kërkon që shtetet ballkanike të jenë në sinkron, kur kërkojnë investime nga jashtë.

“Nëse u ofrojmë stabilitet politik dhe ligjvënës, dhe sadopak kushte, qoftë tatimore apo tjera, të përafërta”, sugjeroi Bytyqi.

Në konferencën e së martës u kërkua të mos aplikohen ndëshkime ndaj bizneseve, si dhe të mundësohet shtyrja e kredive.

Komento: