Edhe çmimi i ujit rritet

17:02 | 17 Mars 2022

S’ka të ndalur: Rritet edhe çmimi i ujit në Kosovë.

Valës së shtrenjtimeve, përveç energjisë elektrike dhe produkteve tjera në këtë kohë iu shtua edhe rritja e tarifave të ujit nga Autoriteti Rregulltiv i Ujit (ARrU).

Zëvendësdrejtori i ARrU-së, Abedin Azizi gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi lidhur me planin e performancës për vitin 2022, të këtij autoriteti bëri të ditur se Kompania Rajone e Ujësjellësit në Prishtinë, ka shtrenjtuar tarifat rreth 0.3centë. Po kështu ka ndodhur edhe në komunat tjera, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.

“Sa i përket çështjes së tarifave, për tarifat, në katër kompani regjionale, nuk janë ngritur ose është ngritur 0.1 cent për një metër kub uji, që do të thotë se një familje që konsumon 20 metra kub uji, ndryshimi i tarifës është 0.20 centë. Kemi dallim pak më të madh ose rritje pak më të madhe të tarifave në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Prishtinë. Kjo për arsye të futjes në operim të impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Në Prishtinë e kemi ngritur tarifën për 0.2-0. 3 centë për shkak të shpenzimeve për blerje të ujit me shumicë”, theksoi Azizi.

Deputeti Pal Lekaj tha se shtrenjtimi i ujit, rrymës dhe së fundi të shumë produkteve të tjera ushqimore, do ta vështirësojnë jetën e qytetarëve në Kosovë.

“Ngritja e çmimeve prej 1 janari, sa është ajo ngritje, sepse për mua nëse vazhdojmë edhe ujin, rrymën dhe të gjithë artikujt bazë ushqimorë, është një vështirësi e madhe që t’ia dal qytetari. Sa për qind ka qenë rritja prej 1 janarit të këtij viti”, tha ai.

Komento: