Edhe një ish-ushtar i UÇK-së ftohet nga Gjykata Speciale

18:17 | 23 Korrik 2019

Edhe një ish-ushtar i UÇK-së është ftuar nga Specialja.

Bëhet fjalë për Avdi Ibrahimin, që ishte ish-zëvendëskomandant i Brigadës 128 i Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP).

Lajmin për ftesën e tij e ka bërë të ditur vetë Ibrahimi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook. Ai ka njoftuar se ftesën e ka pranuar sot rreth orës 14:20.

“Ndjej një obligim moral e qytetar t’ju njoftoj se sot rreth ores 14, 20 minuta kam marrur ftesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitem më date 02 tetor 2019”, ka shkruar Ibrahimi.

Ibrahimi është shprehur se Gjykata Speciale është politike dhe e sajuar nga shpifjet.

“Përkundër bindjeve që kamë për këtë gjykat politike të sajuar nga shpifjet, të pavërtetat e shtetit serbë për ta njollosur luftën e pastër të UÇK-së, edhe pse unë nëpërmjet shkrimeve të cilat i kam bërë publike kam shprehur hapur kundërshtimin e kësaj gjykate të ngritur mbi bazën e raportit të Dik Martit, por që e ka miratuar Këshilli Europian”, ka shkruar Ibrahimi.

“Duke besuar në drejtësi të paanshme, do të paraqitem në kohën e caktuar në hetuesin e Gjykatë Speciale për intervistim. Jam intervistuar vite më parë, edhe dy here të tjera nga Gjykata Speciale e EULEX, dhe deklarata ime ka qenë publike, se vërtet unë nuk kamë asfarë njohurie të ketë bërë dikush nga njerëzit e UÇK-së ndonjë krim, pretendime të tilla të pabaza i kam hedhur poshtë dhe ashtu do të ndodhë edhe në rastin kur të paraqitem sërish para Gjykatës Speciale të Hagës”, ka përfunduar Ibrahimi.

Gjatë ditës së sotme për në Hagë është nisur Ramush Haradinaj, kryeministër në largim dhe Jakup Krasniqi, ndërsa dy të ftuarit tjerë janë, Sokol Bashota dhe Bislim Zyerapi.

Komento: