Ervin Skela trajner i klubit të njohur gjerman

21:05 | 03 Maj 2021

Ervin Skela trajner i Eintracht Frankfurt U-17.

Tashmë është zyrtare, Ervin Skela do të jetë trajneri i ri i skuadrës së 17-vjeçarëve të Eintracht Frankfurt, me ish-mesfushorin e kombëtares shqiptare që ka hedhur një hap të madh përpara në karrierën e tij si trajner.

Një arritje kjo e Skelës që pasi spikati si futbollist te Frankfurt në periudhën 2001-2004 tashmë do të kërkojë të lërë shenjë edhe si numri 1 i stolit.

Tek Eintracht Frankfurt janë të kënaqur me zgjedhjen e bërë dhe kanë shumë besim te Skela.

“Ervini e njeh mirë klubin dhe ka fituar shumë përvojë gjatë viteve këtu në Eintracht. Si një bashkë-trajner, si dhe një trajner individual ai ka provuar se mund t’ua kalojë përvojën e tij profesionale djemve”.

“Ne jemi shumë të kënaqur që ai tani po bën hapin tjetër si trajner me ekipin U17″, është shprehur zyrtari i klubit gjerman, Andreas Moller.

Skela ka nënshkruar me Eintracht Frankfurt deri më 30 qershor të vitit 2022.

Komento: