Euforia e frikshme e Richard Grenell

20:38 | 11 February 2020

Është një pozant mendjemadh, të cilit me çdo kusht i duhet një ‘sukses’ i shpejtë në Kosovë.

Nuk ka suksese urgjente.

Hashim Thaçi e quan ‘energjik’ por Grenell është euforik, arrogant dhe moskokëçarës.

Richard Grenell ka paralajmëruar sanksione ndaj Kosovës nëse nuk hiqet taksa, por jo sanksione edhe ndaj Serbisë nëse nuk e ndalon fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Të hiqet taksa ndaj mallrave serbe siç kërkon Grenell, krejt në rregull, le të hiqet menjëherë, por këtij nuk i pëlqen as reciprociteti.

Që do të thotë, ky nuk ka asnjë plan tjetër përveç ta heq taksën ndaj Serbisë, dhe kjo do të ishte arritje e tij personale politike.

Pse Grenell është kundër reciprocitetit?

Që Serbia të ketë të drejtë të jetë e padrejtë me Kosovën, e Kosova vazhdimisht t’i miratojë padrejtësitë.

Çfarë avokati është ky?

I kujt është?

I Serbisë?

Pse nuk kërkon nga Aleksandër Vuçiq ta respektojë Marrëveshjen e 19 Prillit 2013 (mes H.Th. e I.D.), në veçanti pikën 14-të që obligon palët të mos e bllokojnë njëra-tjetrën.

Për ironi të inicialeve të H.Th në marrëveshje, bash Ivica Daçiq e udhëheq propagandën kundër shtetit të Kosovës.

Ne kemi punë me një shtet që nuk i respekton marrëveshjet, në daç hiqe taksën, në daç mos e hiq taksën, në daç vendos reciprocitet, në daç mos vendos reciprocitet, Serbia nuk i respekton Marrëveshjet që i nënshkruan.

Prandaj, edhe nëse arrin marrëveshje finale

me Serbinë, nuk ke arritur asgjë.

A jetohet pa ‘marrëveshje’?

Koha ka dëshmuar se më së shumti e respektojmë njëri-tjetrin kur ‘nuk flasim’.

Grenell ka dështuar të shes mend në Gjermani, por është i përshtatshëm për vende të vogla (si Kosova), se këtu vjen në shprehje vogëlsia e tij, këtu në mesin tonë e ka shansin jetësor të fryhet, fryhet e fryhet e askush të mos i thotë ”çfryju’, sepse ne e dimë se ky është Amerika, e Amerikës s’i thuhet Jo.

Edhe Hashim Thaçi kujton se është ‘Kosova’, po nuk është.

Më së miri e kish kuptuar nëse i kishin kërkuar përgjegjësi ligjore, pse ky kah t’rrotullohet (e shkel Kushtetutën), flet për ndarjen e Kosovës (që e quan me eufemizëm ‘korrigjim i kufirit’).

P.S. Ku ka superfuqi që e jep Kosovën për Grenellin!

‘Grenella’ ka sa të duash, e Kosova është veç Një.
Mos u tut!

Thuaji Narcistit ‘Jo’.

Lype një ‘Grenell’ tjetër, që nuk i ngutet kaq shumë.

Dhe që nuk i ‘tremb’ shqiptarët me kaq lehtësi dhe nënçmim.

Komento: