Fansat e zgjedhin Granit Xhakën lojtarin e muajit te Arsenali

20:13 | 03 Tetor 2022

Granit Xhaka, lojtari i muajit te Arsenali.

Granit Xhaka është zgjedhur lojtari më i mirë te Arsenali për muajin shtator.

Klubi londinez njoftoi këtë të hënë se mesfushori nga Kosova mori 83 për qind të votave nga fansat.

Arsenali zhvilloi tri ndeshje gjatë muajit shtator dhe Xhaka luajti për 90 minuta në secilën prej tyre.

Reprezentuesi i Zvicrës ishte kapitën në fitoren 1:2 të “Topçinjëve” në udhëtim te Zurichi në Ligën e Evropës, para se të regjistronte pastaj një asistim në fitoren 0:3 si mysafirë te Brentfordi në Premierligë.

Xhaka ishte i plotë edhe në humbjen kundër Manchester Unitedit, që është ende humbja e vetme për Arsenalin këtë sezon.

Në garën për çmimin “Lojtari i Muajit”, Granit Xhaka mposhti Gabriel Jesusin, që u rendit i dyti me 8 për qind të votave, dhe Bukayo Sakan, që doli i treti me 6 për qind.

Vlen të theksohet se 30-vjeçari e ka nisur mirë edhe muajin tetor. Ai shënoi gol në fitoren 3:1 kundër Tottenham Hotspurit, teksa u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.

Komento: