
Barcelona po përgatit një ofertë prej 25 milionë eurosh për transferimin e Andrea Cambiasos nga Juventusi, pasi trajneri Hansi Flick dhe drejtori sportiv Deco e shohin italianin si përforcimin e duhur për krahun e majtë të mbrojtjes.
Sipas gazetarit Ekrem Konur, klubi katalanas synon ta transferojë mbrojtësin italian për të zëvendësuar Alejandro Balden, i cili pritet të largohet nga Barcelona në afatin kalimtar të janarit, pasi ka humbur vendin në planet e Flickut.
Megjithatë, Juventusi nuk është i gatshëm ta lejojë largimin e Cambiasos për më pak se 40 milionë euro, duke krijuar një diferencë të konsiderueshme mes vlerësimit të dy klubeve.
Barcelona e vlerëson veçanërisht polivalencën e futbollistit italian, i cili mund të luajë në disa pozita në krahët e mbrojtjes. Për këtë arsye, drejtuesit katalanas po shqyrtojnë mundësinë që Balden ta përfshijnë në marrëveshje si pjesë të shkëmbimit, në mënyrë që të zvogëlojnë diferencën financiare mes dy klubeve.

Balde, 23 vjeç, ka rënë në hierarkinë e mbrojtësve të majtë te Barcelona dhe së fundmi ka marrë minuta kryesisht për shkak të lëndimeve të bashkëlojtarëve.
Sipas raportimit, gjatë verës atij i ishte bërë e ditur se nuk ishte ndër zgjedhjet prioritare të stafit teknik, ndaj palët kishin diskutuar mundësinë e një largimi në mes të sezonit, me kusht që klubi të siguronte një zëvendësues të denjë.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Juventusit mbështeten te kontrata e Cambiasos, e cila është e vlefshme deri në qershor të vitit 2029.
Klubi nga Torino nuk ka arsye të nxitojë për shitjen e një futbollisti që është pjesë e rëndësishme e formacionit, përveç nëse merr një ofertë që i mundëson të investojë në një zëvendësues të përshtatshëm.