Franca për marrëveshjen për të pagjeturit: Thelbësore për pajtimin Kosovë-Serbi

19:12 | 07 Prill 2023

Ambasada franceze në Kosovë ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për të pagjeturit gjatë takimit të fundit në nivel kryenegociatorësh mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në reagimin e ambasadës, thuhet se ky është hap thelbësor për normalizimin e raporteve mes të dy palëve, në kuadër të procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Tutje, potencohet se ky dakordim do t’ua mundësojë familjeve të viktimave që potencialisht të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, që janë zhdukur gjatë luftës.

“Në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe të ndihmuar nga Bashkimi evropian, ky është një hap konkret përpara i cili u mundëson familjeve të viktimave të shpresojnë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe më në fund të mund të mbyllin periudhën e zisë që ndonjëherë ka zgjatur më shumë se tridhjetë vjet”, thuhet në reagim.

Ambasada franceze gjithashtu njoftoi se ka ndarë një fond prej 100,000 mijë euro për t’ia ndarë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të cilët punojnë për t’i identifikuar të pagjeturit dhe për t’i kthyer ata te familjet e tyre.

Më 4 prill, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel. Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell u shpreh se ka pajtim për deklaratën për personat e zhdukur, si dhe ka paralajmëruar miratim të saj në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në këtë deklaratë do të përdoret termi “të zhdukurit me dhunë”. Sipas Andin Hotit, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, marrëveshja nënkupton se Serbia do të hapë arkivat dhe do t’i prezantojë dokumentet sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur.

Komento: