
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar për një takim sonte liderët e partive opozitare në vend ku siç thuhet në ftesën e tij, për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror, shkruan FrontOnline.
Ftesës së kryeministrit Kurti iu është përgjigjur pozitivisht vetëm Partia Demokratike e Kosovës, e ku lideri i kësaj partie, Memli Krasniqi ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Ndryshe nga tema e caktuar nga kryeministri Kurti, nga PDK-ja kanë thënë se kryetari i këtij subjekti, Memli Krasniqi, do të diskutohet edhe tema për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme.
”Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja” kanë deklaruar nga PDK.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dy subjekte opozitare, kanë refuzuar takimin e thirrur nga kryeministri Kurti.
“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake. Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore, prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”, ka thënë, Lumir Abdiku, kryetar i LDK-së.
Derisa nga AAK kanë deklaruar se nuk marrin pjesë në takim, pasi kjo është temë mes grupeve parlamentare
‘’Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre. Në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një moment tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interesa nacional”, thuhet në përgjigjen e Haradinajt për Kurtin.
Haliti për takimin Kurti-Krasniqi: Nuk pres se do të realizohet diçka konkrete, por mund të ketë përafrime
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, nuk pret diçka nga takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të partisë së tij, Memli Krasniqi, por që mund të ketë përafrime.
Ai thotë se takime të tilla duhet të jenë më të shpeshta dhe se janë normale, pasi mund të ketë informacione nga dora e parë
‘’Unë mendoj që takimet në mes kryetarëve të partive duhet të jenë krejtësisht normale dhe do të duhej të takoheshin më shpesh, sepse ka çështje në interes të vendit për të diskutuar dhe për të pasur informim të dorës së parë’’ thekson Haliti.
Ai thotë se PDK tashmë ka një datë të zgjedhjeve që e ka thënë në publik tash e sa kohë dhe ajo datë është 9 qershori.
‘’Sa i zgjedhjeve, PDK ka qëndrim që sa kohë dhe kemi caktuar datën 9 qershor’’ potencon ai.
Haliti shton se meqë takimi i thirrur nga kryeministri Kurti është refuzuar nga LDK dhe AAK, nuk mund të konsiderohet si takim me kryetarëve të partive opozitare dhe kryeministrit Kurti.
‘’Takimi i sotëm në kushtet kur është refuzuar nga LDK dhe AAK, nuk do të konsiderohet si takim mes kryetarëve të partive, por edhe mënyra se si është ftuar takimi, nuk është drejtë nga kryeministri, prandaj nuk pres se do të realizohet diçka konkrete, por mund të ketë përafrime’’ deklaron Haliti.
Ai thekson se mënyra se si funksionon Kurti, është jo serioze.
‘’Realiteti dhe mënyra se si funksionon Kurti dhe raporti i tij me opozitën kanë qenë jo serioze.’’
Thaçi i VV-së para takimit Kurti-Krasniqi: PDK-ja është bllokuese dhe jo korrekte
Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, për FrontOnline ka folur para takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
Për të PDK-ja është treguar jo korrekte dhe bllokuese e sabotuese.
‘’Unë nuk e di agjenden e kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, por si do që të jetë PDK-ja është treguar tash e një vit, që nga shtrirja e sovranitetit në veri është treguar jo korrekte ndaj institucioneve të Kosovës. ‘’ deklaron ai.
Deputeti Thaçi shprehet se ka projekte prej mbi 300 milion euro që janë bllokuar nga PDK-ja
‘’Ka projekte mbi 300 milionë euro që po bllokohen dhe sabotohen nga PDK, kjo është e pa precendent në historinë e Kosovës. Është e pabesueshme qasja e saj karshi zhvillimeve përballë Serbisë’’ thekson ai.
Ndërkohë, për LDK-në thotë se nuk është subjekt politik që mundet me dërgu agjenda përpara.
‘’LDK-ja është ajo qe ka qenë, ata nuk janë në gjendje as me i çu proceset përpara, LDK-ja është si e vitit 2009/10, nuk është e zoja me çu asgjë përpara, i njëjti është edhe Lumiri’’ shprehet ai.
Ndërkaq për AAK-në, deputeti Thaçi thotë se ka qenë më korrekte.
‘’Aleanca ka qenë më korrekte në Kuvend, ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare, derisa PDK dhe LDK kanë sabotuar ato marrëveshje’’ përfundon Thaçi.
Analisti Ukaj: Ftesa e Kurtit e pa sinqertë, ka pasur tema me të rëndësishme për diskutim në takim
Analisti politik, Fidan Ukaj, për FrontOnline e ka cilësuar si të pa sinqertë ftesën e kryeministrit Albin Kurti, bërë partive opozitare për takimin e sotëm.
‘’ Ftesa ndaj subjekteve politike ka qenë e pa sinqertë sepse është mundur me u kamufluar qëllimi i takimit ndërsa në realitet është diçka tjetër’’ thotë ai.
Për Ukajn, ka pasur tema tjera me të rëndësishme që kanë mundur të diskutohen sot
‘’Temë diskutimi do të ishte kalimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe një temë tjetër që mendoj se do të duhej të shtrohej në takim do të ishte edhe sigurimi i votave për kalimin e Kodit Civil, ku kryeministri Kurti me siguri nuk po arrin të i siguroj votat dhe do të kërkonte përkrahje nga subjektet opozitare, po ashtu edhe tema për zgjedhje do të diskutohej nëse kishin marrë pjesë edhe subjektet tjera politike’’ deklaron analisti Ukaj.
Ai shton se ftesa për takim duket më shumë si ftesë për grupet parlamentare se sa mes partive politike.
‘’Domeni i takimit më shumë duket sikur takim mes grupeve parlamentare’’ potencon ai.
Për Ukajn, përgjigjjia më e mirë ndaj ftesës së Kurtit ka qenë ajo e AAK-së
‘’Mendoj se përgjigjja më e mirë ka qenë ajo e AAK-së, ku e drejtoj takimin tek BesnikTahiri, që është shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, pra ftesa ka mangësi, ka probleme, dhe ka pasur tema tjera që do të duhej të diskutohej’’, potencon Ukaj për FrontOnline.
Analisti Muhaxhiri: Nuk pres shumë nga takimi Kurti-Krasniqi, duke ditur qëndrimet e tyre
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, për FrontOnline shprehet se nuk pret ndonjë sukses nga takimi i sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderit të PDK-së, Memli Krasniqi.
‘’Nuk mund të pritet shumë nga ky takim, sepse kushtet nuk japin indikacione për një gjë të tillë, duke pasur parasysh qëndrimet e Kurtit dhe Krasniqit. Vetë zgjedhja e temës për këtë takim është e gabuar, sepse Kosova ka prioritete më të mëdha se sa tema për agjendë legjislative’’ shprehet Muhaxhiri.
Ai thekson se nëse do të kishte tema tjera për të diskutuar në takim, edhe dy partitë tjera opozitare do të i përgjigjeshin pozitivisht, ftesës së Kurtit.
‘’Mendoj nëse Kurti do e ftonte opozitën për të diskutuar rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE, për dialogun ose tema tjera, gjithësesi do të përgjigjëshin pozitivisht, por mënyra e këtij takimi të këtij niveli, nuk mund të ketë rezultate’’ deklaron ai.
Analisti Muhaxhiri thekson se dallimi mes partive opozitare tregon se nuk ka pajtueshmëri mes tyre.
‘’Kjo është një dëshmi se nuk ka pajtueshmëri mes opozitës sa i përket zgjedhjeve të reja apo proceseve politike, kjo është negative sepse një qëndrim më i prerë i opozitës do të i bëhej presion kryeministrit Kurti që ai të sillej në mënyrë më konstruktive’’, potencon ai.
Muhaxhiri shton se me opozitën aktuale që ka Kosova, Kurti mund të qeverisë si të dëshiron.
‘’Me këtë opozitë, Kurti mund të qeverisë vetëm ashtu siç do dhe kjo çarje opozitare i bën dëm Kosovës. Me gjitha këto dallime pozitë e opozitë, dobësohet orientimi politik i Kosovës’’ përfundon ai/FrontOnline/