Gastronomët dhe ekonomistët paralajmërojnë për masat e reja

23:57 | 13 Gusht 2021

Skeptikë për masat e reja anti-COVID, gastronomët dhe ekonomistët: Vështirë të zbatueshme.

Qeveria e Kosovës të enjten ka marrë vendim për ashpërsimin e masave kundër COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 20 gusht.

Nga data 20 gusht deri më 10 shtator, hyrja në diskoteka, në ambientet ku mbahen ahengjet familjare, tubimet masive, festivale e tjera, të cilat kanë kapacitetet deri në 100 persona, lejohet vetëm nëse klientët kanë një dëshmi si certifikate të vaksinimit, testit PCR negativ, dëshmi së personi ka kaluar coronavirusin, ose rezultat pozitiv të antitrupave.

Nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, shpresojnë se ky vendim do të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve për vaksinim.

“E mira e kësaj është se në bare dhe restorante këto ndalesa për mos-vaksinimin e klientëve nuk ka me u zbatu. Kurse, në klube të natës këto ndalesa do t’i bëjë sigurimi, dhe ndoshta ekzekutohet pak më lehtë. Përndryshe në dasma, mundet me qenë më emocionale, kur dihet se janë familjarë, kështu që mendoj që ka me qenë pak më problem me i nda njerëzit. Sa ka me u zbatu mbetet të shihet, mirëpo mendoj se kjo do të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve për vaksinim”, deklaroi Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve për RTV 21.

Ndërkaq, ekonomisti Safet Gërxhaliu thotë se duhet të ketë më shumë inspektorë që monitorojnë zbatimin e këtyre masave.

“Duhet të kemi monitorues në zbatimin e këtyre masave, mendoj se inspektorët duhet të jenë më aktiv, që mos të kemi mbyllje sërish”, u shpreh ai.

Ndryshe, javëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të rasteve me COVID-19, ku Ministria e Shëndetësisë deklaroi se mbi 90 përqind të rasteve të reja dominon varianti Delta i coronavirusit.

Komento: