Gastronomia me çmime “në qiell” – MINT deklarohet, Shoqata dhe Autoriteti i Konkurrencës heshtin – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Gastronomia me çmime “në qiell” – MINT deklarohet, Shoqata dhe Autoriteti i Konkurrencës heshtin

20:14 | 29 Qershor 2022

Qytetarët e Kosovës po përballen me çmime ekstreme, sidomos në muajt e fundit në Kosovë. Çkado që u duhet të blejnë, qytetarët këtë vit duhet të paguajnë shumëfish më shtrenjtë.

Këto çmime të larta përfshijnë edhe produktet elementare për çdo ekonomi familjare. Në secilin produkt që qytetarët duhet të blejnë duhet të paguajnë me çmime shumë më të larta sesa viteve të kaluara.

Në krahasim me pagat të cilat nuk janë rritur, shpenzimet janë shumë më të larta. E një gjë e tillë është vërejtur së fundi edhe në kuadër të Gastronomisë, saktësisht në kafiteri dhe hotele të shumta.

Rritja e çmimit të ushqimeve dhe pijeve nëpër gastronomi është vërejtur sidomos në qendrën e Prishtinës. Sa i përket pijeve të gazuara jo-alkolike dhe alkoolike, ka pasur rritje për 50 e shpesh edhe 100 përqind të çmimit.

Tashmë, në shumicen e kafeneve në qytetin e Prishtinës, një pije e gazuar që para disa muajsh kushtonte 1 euro, tash kushton 1.40 dhe 1.50 cent. Kafetë në 1 euro dhe 1.20 e kështu me radhë, shkruan lajmi. net

Lidhur me gjithë këto ndryshime, lajmi.net ka kontaktuar ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas ministrisë, sa i përket ngritjes së çmimeve indikacioni përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit vjen kryesisht në proporcion me numrin e ankesave të konsumatorëve të parashtruara përmes konkurrencës.

Por sipas MINT këtu përjashtohen mashtrimet parakontraktuale dhe kontraktuale.

“Sa i përket ngritjes së çmimeve, indikacioni përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit (DMK) vjen kryesisht në proporcion me numrin e ankesave të konsumatorëve të parashtruara përmes këtij dikasteri. Ankesat e kësaj natyre, pra për ngritjen e çmimeve, adresohen kryesisht tek ‘Autoriteti i Konkurrencës’ (AK), përjashtuar mashtrimet parakontraktuale, kontraktuale apo paskontraktuale të cilat adresohen tek autoriteti i ‘Inspektoratit të Tregut’.”, u tha nga MINT.

Sipas të njëjtëve nga 1 janari deri më sot, nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit tek Autoriteti i Konkurrencës janë adresuar gjithsej 249 ankesa.

“Natyra e këtyre ankesave kanë qenë (shembull muajt e parë të këtij viti) kryesisht për ‘ngritjen e çmimit të produktit të vajit’, pastaj për produkte e tjera ushqimore (i.e. veze, kafe etj.), çmimet e karburanteve (naftë dhe benzinë), si përfundim duke mos përjashtuar as edhe ato të shërbimeve esnafore (berber, frizer etj.)”, thuhet nga ministria.

Nga MINT nuk kanë treguar se çfarë në fakt do të ndërmarrë ministria e drejtuar nga Rozeta Hajdari, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të cilët çdo ditë përballen me sfida.

Për qytetarët tashmë problematike është bërë edhe blerja e një buke, e cila ka shkuar deri në 60 cent, duke mos harruar ngritjen e çmimeve ekstreme edhe në produktet e tjera siç janë karburantet.

Lidhur me rritjen e çmimeve në kafiteritë dhe restorantet e vendit, lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga Shoqata e Gastronomëve, por të njëjtit kanë vazhduar t’i shmangen përgjigjeve.

Duhet përkujtuar që janë pikërisht nga kjo shoqatë që gjatë pandemisë dhe më pas kanë vazhduar të ankohen për humbje të shumta, e si pasojë kanë bërë vazhdimisht thirrje që t’u mundësohet lejimi i punës.

Por siç duket si “falënderim” ndaj qytetarëve (klientëve) apo atyre që ua sjellin gjithë fitimin vjetor, kanë rritjen e çmimeve.

Të njëjtit që protestonin për të mos humbur klientët e punën, duket se kanë vendosur që t’i largojnë vetë ata.

Për ngritjen e çmimeve, lajmi.net ka kontaktuar edhe Autoritetin e Konkurrencës, por të njëjtit deri në momentin e publikimit nuk kanë kthyer përgjigje.

Komento: