Gattuso shpreh keqardhje për gabimin trashanik të Rrahmanit

18:07 | 10 Janar 2021

Gattuso: Më vjen keq për Rrahmanin, është profesionist i madh dhe do t’i ketë mundësitë e veta.

Trajneri i Napolit, Gennaro Gattuso, thotë se i vjen keq që, siç e quan ai, një profesionit i madh si Amir Rrahmani e bëri një gabim trashanik që i kushtoi me zëvendësim të parakohshëm në fitoren e Napolit 2:1 kundër Udineses, por u zotua se kosovarit do t’i japë mundësi të tjera për t’i shfaqur aftësitë e veta.

Gattuso e arsyetoi vendimin për ta zëvendësuar përfaqësuesin e Kosovës gjatë pushimit mes pjesëve të dielën në Udine, duke thënë se Rrahmani po haste në vështirësi të shumta pas gabimit te goli i barazimit të Udineses, raporton Gazeta Express.

Napoli po fitonte falë golit të Lorenzo Insignes nga penalltia pas një çereku lojë, kur Rrahmani e ktheu një top mbrapa gabimisht, të cilin e vodhi Kevin Lasagna dhe shënoi për 1:1 në minutën e 27-të.

Pavarësisht se u detyrua ta largojë Kostas Manolasin nga loja shkaku i dëmtimit dhe në mungesë të qendërmbrojtësit kryesor Kalidou Koulibaly, Gattuso e largoi nga loja Rrahmanin në minutën e 46-të.

Mario Rui ia shpagoi besimin dhe ia arsyetoi vendimin Gattusos duke asistuar për Bakayouko, i cili shënoi në minutën e 90-të për t’ia dhuruar tri pikë napolitanëve.

Duke folur për 26-vjeçarin pas ndeshjes, Gattuso tha: “Më vjen keq për Amirin, ai është profesionist i madh, por ai hasi në vështirësi sot dhe mua m’u desh të vendosja. Ai do t’i ketë mundësitë e veta përsëri.”

Trajneri italian shtoi: “Mendoj se ne duhet të mos sillemi vërdallë nëpër rrjetet sociale ditëve të sotme, sepse Napoli, Roma dhe Lazio janë vende të ngjashme dhe jemi vazhdimisht të rrethuar nga thashethemet, diskutimeve, shumë fjalë broçkulla, prandaj duhet t’i injorojmë ato”.

Kjo ishte ndeshja debutuese si titullar për Rrahmanin, gjysmë sezonin pasi iu bashkua Napolit nga Hellas Verona.

26-vjeçari debutoi ditë më parë pas një pritjeje pesëmuajshe, si zëvendësues në fitoren e Napolit 4:1 kundër Cagliarit.

Komento: