Geoana: S’ka rrezik për eskalim në Veri, FSK atje veç në konsultim me KFOR-in – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Geoana: S’ka rrezik për eskalim në Veri, FSK atje veç në konsultim me KFOR-in

20:28 | 07 Korrik 2022

Zyrtari i NATO-s: S’ka rrezik për eskalim në Veri, FSK atje veç në konsultim me KFOR-in.

Zyrtari i lartë i NATO-s, Mircea Geoana, ka qëndruar për një vizitë në Kosovë dhe është takuar edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani me të cilën ka biseduar rreth anëtarësimit në Programin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimin në NATO.

Në një intervistë që ka dhënë Geoana për portalin KoSSev, ka thënë se nuk sheh mundësi që situata në Veri të eskalojë në aspektin e sigurisë si dhe ka thënë FSK mund të shkojë në atë pjesë të Kosovës, vetëm në konsultim me KFOR-in.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana ka deklaruar se e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë është dialogu dhe kompromisi dhe se NATO e mbështet plotësisht. Ai ka përsëritur se FSK mund të shkojë në veri vetëm me marrëveshje me komandantin e KFOR-it, duke përsëritur se KFOR-i po zbaton mandatin e marrë në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai thotë se situata është e brishtë por stabile dhe se NATO nuk sheh asnjë shenjë rreziku që ajo mund të përshkallëzohet.

Në anën tjetër, ka deklaruar ai, KFOR-i i përmbahet në mënyrë rigoroze mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk duhet të shkelin në veri pa u konsultuar paraprakisht me komandantin e KFOR-it.

“Kur bëhet fjalë për Forcat e Sigurisë së Kosovës, ne gjithmonë themi se të gjithë duhet t’i përmbahemi Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, e cila thotë shumë qartë se çdo lëvizje e mundshme drejt veriut nuk duhet të bëhet pa u konsultuar me komandantin e KFOR-it. Dhe ky është mesazhi që u dërguam të gjithë vendimmarrësve në Prishtinë, të cilët i vizituam sot”, tha ai.

Për NATO-n, e vetmja rrugë përpara është dialogu dhe kompromisi për të gjitha palët.

“Kjo është arsyeja pse mesazhi im dhe mesazhi i të gjithë neve nga NATO-ja për të gjitha palët, është se ne inkurajojmë dialogun. Dialogu dhe kompromisi nuk kanë zëvendësim dhe se duhet të shmangim çdo vendim të papritur që mund të shkaktojë destabilitet”, tha ai.

Njëkohësisht, Geoana Serbinë e vlerësoi si partner të NATO-s, me të cilin NATO “punon shumë, pavarësisht disa momenteve të vështira në të kaluarën”. Ai gjithashtu theksoi se NATO as nuk vendos dhe as nuk komenton vendimet sovrane të partnerëve të saj dhe se Serbisë i takon të vendosë vetë për fatin e saj.

“Serbia është partnere e NATO-s, ne i respektojmë vendimet e Beogradit dhe mund të shpresojmë që perspektiva evropiane për Serbinë më në fund do të bëhet realitet”, ka deklaruar ai.

Komento: