Gërvalla: Remitencat duhet kthyer në mjet investimi në Kosovë

23:03 | 19 Shkurt 2024
gervalla:-remitencat-duhet-kthyer-ne-mjet-investimi-ne-kosove

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, vizitën e saj zyrtare në Austri, e nisi me një takim me mergimtarë në Salzburg.

Kryediplomatja kosovare me bashkatdhetarët ka bashkëbiseduar për situatën në Kosovë, lidhjet e mërgatës me Kosovën, bashkëpunimin në sjelljen e investimeve të reja, zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe dhe promovimin e kulturës dhe traditës sonë te gjeneratat e reja.

Ministrja Gërvalla i falënderoi mërgimtarët për mbështetjen e dhënë për Kosovën në etapat më kritike të saj si edhe sot, me remitencat e tyre, të cilat duhet kthyer në mjet investimi të qëndrueshëm në Kosovë.

“Para bashkëatdhetarëve tanë, studentë, mjekë, infermierë, aktivistë, punëtorë nga profile të ndryshme e pensionistë, Ministrja Gërvalla paraqiti hapat e qeverisë së Kosovës në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e shtetit dhe rritjen ekonomike, duke vlerësuar se bizneset e mërgimtarëve tanë janë të mirëseardhura në Kosovë dhe shteti për të cilin kontribuan aq shumë do të jetë mbështetës i ideve dhe projekteve të tyre, të cilat për qëllim kanë mbështetjen e familjeve të tyre, Kosovës dhe të rinjve në punësim”, thuhet në komunikatën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

Bashkëbisedimi mes Ministres Gërvalla dhe komunitetit shqiptar nga Salzburgu shpërfaqi sfidat me të cilat ballafaqohen ata, si e shohin Kosovën, cilat janë idetë e tyre për zhvillimin ekonomik të vendit, në ndërmarrësi, kulturë, sport dhe qeverisje të mirë.

“Bashkëatdhetarët tanë në Salzburg u shprehën të kënaqur që tashmë kanë një trajtim më dinjitoz me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe mundësinë që të shprehin vullnetin e tyre qytetar”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Komento: