Gjenden eshtra në Prekaz, dyshohet të jenë nga Lista e të Zhdukurve

11:03 | 09 Nëntor 2023
gjenden-eshtra-ne-prekaz,-dyshohet-te-jene-nga-lista-e-te-zhdukurve

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se ka hasur në mbetje mortore/eshtra, potencialisht të personave të zhdukur, në Prekaz të Skenderajt.

“Pas gërmimeve në lokacionin Arbanë, Prizren, sot gjatë ditës, ekipet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë vazhduar gërmimet edhe në lokacionin e varrezave në fshatin Prekaz, Skenderaj. Pas disa orë gërmimeve, ekipet ka hasur dhe zhvarrosur mbetje mortore (eshtra) të viktimave që mund te jetë në Listën e Personave të Zhdukur”.

“Gërmimet po vazhdojnë ende dhe në do t’iu njoftojmë pas rezultateve të ADN-së për identifikimet e mundshme të këtyre trupave”, ka thënë KQPZh.

Ndërkaq Kushtrim Gara nga KQPZh ka thënë se puna e tyre po vazhdon “me angazhimin maksimal që familjeve t’iu lehtësohet dhimbja dhe ankthit të pritjes t’i vijë fundi”.

Ai ka thënë se gërmimet e filluara sot në mëngjes në lokacionin në Prekaz të Poshtëm, tashmë kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore “që mund t’iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur”.

“Edhe lokacioni në Prekaz është adresuar falë angazhimit ndërinstutucional (KQPZh, IML, Policia/DHKL) bazuar në rekomandimet e Raportit Analitik të përgatitur nga KNKK/ICRC”, ka thënë Gara.

Komento: