Gjest i madh nga shqiptari, shpëton çiftin e moshuar nga zjarri në një shtëpi në Finlandë

15:30 | 02 Korrik 2021

Shqiptari shpëton çiftin e moshuar nga zjarri në një shtëpi në Finlandë.

Gazeta finlandeze, “Helsingin Sanomat”, raportoi të enjten për një zjarr të madh që shpërtheu në Minttutie të Finlandës të mërkurën në mbrëmje. Nga zjarri u shkatërrua tërësisht një shtëpi. Një shqiptar thuhet se ndihmoi një çift të të moshuarve që të shpëtonte nga zjarri.

Banorët e lagjes thanë se ofruan ndihmë për personat që ndodheshin në shtëpi para se të arrinin zjarrfikësit. Juha Virolainen nga Departamenti Qendror i Shpëtimit tha se shtëpia ishte në zjarr të plotë, kur zjarrfikësit arritën në vendin e ngjarjes.
Mergim Halili, i cili jeton në lagjen ku u dogj shtëpia, tha se ai dhe e dashura e tij ndihmuan që një çift i moshuar të largohej nga objekti, shkruan Helsingin Sanomat, transmeton Gazeta Express.

Ai shton se vërejtën tym që dilte nga shtëpia dhe se shkuan për të shikuar se çfarë po ndodhte. Pasi zjarri u bë më i madh, ata vendosën që të shikojnë nëse ka mbetur ndonjë njeri brenda.

Sipas Mergimit, të moshuarit e hapën derën kur ky dhe e dashura trokitën. “Dukej se ata nuk ishin të vetëdijshëm për zjarrin”, tha ai.

Sidoqoftë, të rinjtë arritën që ta ndihmojnë çiftin për t’u larguar nga ndërtesa që po kaplohej nga flakët, ndërsa kalimtarët tjerë trokitën në dyer e dritare të tjera për t’u siguruar që askush nuk është më brenda.

Një dëshmitar i prezantuar si Albi tha se disa banorë tashmë kishin dalë jashtë. Ai tha se më pas i informoi shërbimet emergjente.

Zjarrfikësit thanë se në vendin e ngjarjes u dërguan mbi dhjetë njësi shpëtuese dhe se puna e tyre zgjati rreth dy orë e gjysmë.

Komento: