
Gjatë muajve të dimrit, shumë shoferë përballen me një problem të pakëndshëm: sapo ndezin ngrohjen e veturës, nga sistemi i ventilimit fillon të përhapet një aromë e rëndë, e cila në disa raste vazhdon gjatë gjithë udhëtimit.
Ky fenomen mund të ketë disa shkaqe, duke filluar nga grumbullimi i pluhurit dhe lagështisë në sistemin e ventilimit, deri te problemet teknike që kërkojnë ndërhyrje nga mekaniku.
Një nga arsyet më të shpeshta është grumbullimi i lagështisë në sistemin e kondicionimit. Kur evaporatori ftohet gjatë përdorimit të klimës, në sipërfaqen e tij krijohet kondensim. Nëse lagështia dhe papastërtitë mbeten aty, mund të krijohen kushte për zhvillimin e baktereve dhe mykut, të cilat shkaktojnë aromë të pakëndshme.
Jake Fisher, drejtor i lartë i testimeve të automjeteve në Consumer Reports, ka shpjeguar se lagështia e mbetur në evaporator mund të favorizojë zhvillimin e baktereve dhe mykut, duke bërë që aroma e pakëndshme të përhapet në kabinën e veturës.
Edhe dokumentacioni teknik i prodhuesit BMW e identifikon ndotjen mikrobike në evaporator si një prej shkaqeve të aromës së mykut në sistemin e ngrohjes dhe kondicionimit.
Një tjetër shkak mund të jetë filtri i kabinës. Me kalimin e kohës, ai grumbullon pluhur, polen dhe papastërti të ndryshme. Nëse laget ose nuk ndërrohet në intervalet e rekomanduara, mund të ndikojë në cilësinë e ajrit që qarkullon brenda veturës.
Megjithatë, jo çdo aromë e pazakontë është e lidhur me mykun apo filtrin e ndotur.
Nëse nga ventilimi përhapet një aromë e ëmbël, e ngjashme me shurupin, kjo mund të jetë shenjë e rrjedhjes së antifrizit nga radiatori i ngrohjes. Sipas Consumer Reports, një problem i tillë duhet të kontrollohet nga mekaniku, pasi humbja e lëngut ftohës mund të shkaktojë edhe mbinxehjen e motorit.
Ndërsa aroma e plastikës së djegur mund të sinjalizojë problem elektrik ose mbinxehje të ndonjë komponenti të veturës dhe nuk duhet të neglizhohet.
Çfarë duhet të bëjnë shoferët?
Specialistët rekomandojnë kontrollimin dhe ndërrimin e filtrit të kabinës sipas udhëzimeve të prodhuesit, pastrimin e sistemit të ventilimit dhe kontrollimin e kanaleve të kullimit të kondensimit.
Në rastet kur aroma vazhdon edhe pas pastrimit, vetura duhet të dërgohet te mekaniku për identifikimin e shkakut.
Veçanërisht i rëndësishëm është kontrollimi i sistemit të shkarkimit. Nëse gazrat e shkarkimit depërtojnë në kabinë, mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin. Monoksidi i karbonit, i cili mund të shkaktojë helmim të rëndë dhe madje vdekje, nuk ka ngjyrë dhe as erë. Për këtë arsye, mungesa e një arome të dyshimtë nuk garanton se ajri është i sigurt.
Nëse dyshohet për depërtim të gazrave të shkarkimit, shoferët duhet të ndalojnë në një vend të sigurt, të dalin në ajër të pastër dhe të kërkojnë kontroll teknik para se të vazhdojnë vozitjen.
