Gjilani me debutim historik, kalon në raundin tjetër të Ligës së Evropës

22:00 | 21 Gusht 2020

Nënkampioni i Kosovës, Gjilani ka bërë debutim historik duke u kualifikuar në raundin tjetër të Ligës së Evropës, pas fitores 3:1 ndaj Tre Penne në fushën e këtyre të fundit.

Ky takim u zhvillua në “Stadio Olimpico di Serrvalle” në San Marino.

Sfida ishte paraparë të luhej dje por, Shend Kelmendi rezultoi pozitiv në testin për coronavirus, duke humbur ndeshjen dhe duke bërë që takimi të shtyhej për një ditë. Edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Jackson Ferriera mungoi në takimin e sotëm për shkak të kontaktit me Kelmendin.

Tre Penne kaloi në epërsi në minutën e 16′ përmes Nicola Gai, i cili shënoi një gol të bukur nga jashtë zonës së rrezikshme.

Gjilani barazoi rezultatin në minutën e 24′, ku Darko Nikac shënoi një gol të bukur me kokë pas harkimit të Prognit.

Luca Sorrentino i vendasve u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje ndaj Prgonit në minutën e 43′.

Gjilani kaloi për herë të parë në epërsi në minutën e 64′ pas një goli fantastik nga Fiton Hajdari, ndërsa Ardit Hila (69′) vulosi rezultatin 3:1.

Futbollistët e Gentjan Mezanit do të kenë sfidë të vështirë në raundin e ardhshëm, pasi takohen me ekipin nga Qipro, APOEL Nicosia.

Njëherish, për klubin e Gjilanit kjo ishte ndeshja e parë në arenën evropiane.

Komento: