Gjykata Speciale dhe mos dokumentimi i krimeve të Serbisë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Gjykata Speciale dhe mos dokumentimi i krimeve të Serbisë

Shkruar nga:

10:38 | 11 Nëntor 2019

Përjashto pak njerëz si familjarët dhe ndonjë idealist që eventualisht ka mbijetuar, të gjithë të tjerët, ose po derdhin ‘lotë krokodili’ si kllapa e madhe e servilëve profiterë që i kanë marrë ‘peng’ komandantët politikanë, ose fërkojnë duart e gëzohen djallëzisht. S’duket që ka neutralë nga ata që pinë espreso e i këqyrin punët e veta. Dhe, mirë që s’ka, sepse lufta, çlirimi e liria nuk janë për ‘asnjanësit’.

Lakmia dhe naiviteti i shumë prej ish-luftëtarëve në pushtet, jo vetëm që dëmtoi idealet e lirisë dhe vlerat sublime të UÇK-së, por edhe stimuloi fijet e UDB-së për një ‘metastazë’ vrasëse në ngritjen e shtetit. Sepse “uji flen e armiku s’flen”, thotë populli, apo se “politika e vërtetë është kalkulim matematikor i pikave tangjente të rrymave të ujit me akullin mbi të”, siç thotë Ukshin Hoti (Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, 1995, f. 105). Këtë nuk e kuptuam ose as nuk deshëm ta kuptojmë qe 20 vjet, prandaj jemi katandisur në ‘kukatje’ dhe ‘ngazëllim’ përballë sfidës së Dhomave të Specializuara.

Komandantët pushtetarë (jo të gjithë dhe jo vetëm ata), të zënë me punë të “mëdha” si zhvillimi i bizneseve, tenderat apo punësimet e klientelës, injoruan ‘rrymat e ujit nën akull’, ndërsa fijet e UDB-së natyrisht se do ta shfrytëzonin këtë situatë për t’u shtrirë në çdo qelizë të ‘new born-it’. Kështu më duket realiteti i shtetndërtimit, ose këtë reflekton sot reagimi i dyzuar në përmasa emocionale lidhur me ftesat nga Haga. Ta votosh ndryshimin e Kushtetutës për një gjykatë të tillë sui generis dhe të revoltohesh pse po vijnë ftesa për persona të caktuar, është çoroditje e madhe. Mirëpo, edhe ekzaltimi i anës tjetër është një banalitet me rrezik pasojash deri në përmbysjen e shtetit.

Shumëkujt kjo mund t’i duket absurde, prandaj s’po vazhdoj ta shpjegoj, por thjesht do të isha i lumtur nëse është ashtu. Ndërkaq, nëse vërtet mllefi ndaj njerëzve të UÇK-së është vetëm artikulim i ekzagjeruar i motivit – natyrisht të drejtë e human – për zbardhjen e krimeve të pasluftës, siç përpiqet të arsyetojë ndonjëri, të paktën s’ka përse të shprehet me entuziazëm. Një gjë e tillë nuk është vetëm e turpshme, por edhe vë në pikëpyetje themelet e republikës – gjakun e dëshmorëve dhe të mijëra të rënëve gjatë luftës. Fundja, irritimi me ndonjë ish-luftëtar pushtetar e merr përgjigjen me votë dhe s’guxon të kthehet në mllef publik kundër të gjithëve pa dallim. Një diskurs i tillë, i amplifikuar në sferën publike sidomos nga mediat, mund të na çojë në theqafje. Ama kjo s’është kaq e thjeshtë, sepse s’është vetëm një qasje e gabuar dhe kaq. Lufta e fituar më 1999 i ka përzënë forcat e Serbisë, por nuk i ka këputur përfundimisht edhe fijet e strukturave të saj inteligjente. Për ta konstatuar një gjë të tillë s’kërkohet ndonjë dije e specializuar, mjafton të kesh mësuar pak nga historia.

Pra, si të luftohet ‘covert action’ i Serbisë që synon dështimin e shtetit? A duhet të vazhdojmë ‘pikë e pesë’ dhe t’i harlisim fijet e UDB-së, apo t’i përgjigjemi seriozisht sfidës duke kalkuluar interesat vitale të shtetit?

E di që ndonjëri do ta dekodojë këtë tekst si tendencioz apo si të parafinuar, sepse e di që kjo varet nga pozicioni dhe sfondi kulturor i asaj apo atij. Pastaj, e kam të qartë që prej vitesh është bërë ‘modë’ të mos flasësh kundër UDB-së, ashtu siç është bërë kohët e fundit të mos flasësh pro UÇK-së, por edhe kjo ‘modë’ është pasojë e ndikimit të UDB-së. Për këtë janë të vetëdijshëm shumë ish-luftëtarë, të ftuar e të paftuar (nga Haga), por jo edhe ata që e kanë përgjegjësinë për të qenë.

Gjykata Speciale nuk përballohet me ‘kukatje’ e cinizëm, po as nuk ju shërben më mirë atyre që po ‘fërkojnë duart’. Konteksti i kësaj pune është lufta kundër luftës së Serbisë, dhe ajo sot bëhet vetëm: duke mos u ligështuar nga ftesat e para prokurorëve si dhe duke u përmbledhur e reflektuar për kundërmasat. Prandaj, mos kukatni dhe mos e akuzoni njëri tjetrin për fajtorin që e ka votuar, sepse kur tentuat ta zhbëni, Amerika e quajti “thikë pas shpine”. Dëmi nga gjykata tashmë ka ndodhur, por në nivelin shtetëror është detyrë sanimi i tij. Krahas përballimit dinjitoz nga secili, kundërmasa e domosdoshme (në fakt si masë do të ishte preventive) është dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë.

Kanë kaluar 20 vjet dhe nga pikëpamja juridike s’kemi bërë gati asgjë për ta vërtetuar gjenocidin serb. Trajtimi joserioz dhe me përçmim i Raportit të Dick Martyt pas vitit 2011, ka sjellë si pasojë sot Gjykatën Speciale, ndërkaq mos reagimi imediat nga institucionet për ta dokumentuar krimin e Serbisë, do të ketë për pasojë mallkimin e historisë.

Komento: