Gjykata Speciale ua lejon viktimave pjesëmarrjen në gjykime

20:38 | 24 Shtator 2020

Specialja ka marrë vendim për lejmin e viktimave në seancat gjyqësore.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, kanë njoftuar se do të lejojnë viktimat të marrin pjesë në seancat e Gjykatës Speciale.

“Me konfirmimin e një aktakuze në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe publikimin e saj, viktimat tashmë mund të fillojnë të paraqesin kërkesa për pjesëmarrje në proceset e ardhshme”, thuhet në një komunikatë.

“Në gjykatën tonë, viktimave u jepet mundësi të marrin pjesë në procese gjyqësore, në realizimin e drejtësisë”, citohet të ketë thënë kryetarja Ekaterina Trendafilova.

Ndërkaq, administratorja Fidelma Donlon citohet të ketë thënë se “Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave do të bëjë të gjitha përpjekjet që t’i ndihmojë njerëzit në plotësimin e formularëve të kërkesave, të cilat do të trajtohen në mënyrë të sigurt dhe konfidenciale”.

Komunikata e plotë:

FILLON PROCESI I PJESËMARRJES SË VIKTIMAVE NË DHOMAT E SPECIALIZUARA TË KOSOVËS

Me konfirmimin e një aktakuze në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe publikimin e saj, viktimat tashmë mund të fillojnë të paraqesin kërkesa për pjesëmarrje në proceset e ardhshme.

Duke folur mbi pjesëmarrjen e viktimave Kryetare Ekaterina Trendafilova tha “Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion mbi krime të rënda, ku përfshihen krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Që të arrihet drejtësi, nuk duhet të harrojmë ata që kanë vuajtur si pasojë e këtyre krimeve.

Në gjykatën tonë, viktimave u jepet mundësi të marrin pjesë në procese gjyqësore, në realizimin e drejtësisë.”

Personat të cilët mund të provojnë se kanë vuajtur personalisht dëm fizik, mendor apo material si pasojë e drejtpërdrejtë e krimeve të pretenduara që përfshihen në një aktakuzë të konfirmuar, mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në procese. Me tej një gjykatës merr vendim nëse parashtruesi i kërkesës mund të marrë statusin e viktimës pjesëmarrëse në DHSK.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të përkushtuara që t’u mundësojnë viktimave pjesëmarrjen në procese gjyqësore, me ndihmën e mbrojtësve të viktimave. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave do të bëjë të gjitha përpjekjet që t’i ndihmojë njerëzit në plotësimin e formularëve të kërkesave, të cilat do të trajtohen në mënyrë të sigurt dhe konfidenciale,” tha Administratorja Fidelma Donlon.

Viktimat pjesëmarrëse në proceset në DHSK do të formojnë një ose më shumë grupe. Secili grup përfaqësohet përmes një avokati që gjithashtu quhet mbrojtës i viktimave. Mbrojtësit e viktimave mund të jenë të pranishëm në seanca gjyqësore dhe i informojnë viktimat gjatë të gjithë procesit gjyqësor. Mbrojtësit e viktimave u kërkojnë viktimave të shprehin mendimet e tyre, dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe ua përcjellin këto mendime e shqetësime gjykatësve përkatës.

Viktimat që marrin pjesë në proceset gjyqësore në DHSK kanë disa të drejta ku përfshihen e drejta për njoftim, pranim dhe zhdëmtim. “Ka rëndësi thelbësore që zëri i viktimave të dëgjohet gjatë të gjithë proceseve të ardhshme. I inkurajoj fuqimisht ata që kanë vuajtur si pasojë e drejtpërdrejtë e krimeve të paraqitura në aktakuza, që të marrin pjesë në këtë proces”, shtoi Prokurori i Specializuar Xhek Smith

Komento: