Gluk Konjufca dorëhiqet nesër? – Ja çka thonë në Vetëvendosje

23:34 | 19 Janar 2020

Flasin në Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje mohon raportimin e mediave se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dëshiron të japë dorëheqje nga kjo pozitë, për t’i lëshuar hapësirë formimit të një marrëveshjeje mes LVV’së e LDK’së dhe për të zhbllokuar negociatat.

Në Vetëvendosje thonë për Express se Konjufca nuk do të japë dorëheqje dhe se nuk ka kthim prapa, duke akuzuar PAN’in se nuk e dëshiron avancimin e VV’së në institucione.

“Nuk ka asgjë të vërtetë nga ai lajm, Glauk Konjufca është figura më pozitive që ka mbajtur ndonjëherë atë pozitë. Ka angazhim të madh të PAN-it kundër çdo avancimi institucional te Vetevendosjes, por prapakthim s’ka”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të LVV’së.

Konjufca është zgjedhur kryeparlamentar në seancën konstituive të 26 dhjetorit, ku LVV e propozoi si parti e parë, pa marrëveshje me LDK’në.

Partia e Isa Mustafës nga ana tjetër, në ofertën e fundit, që ia ka dorëzuar LVV’së ka kërkuar që posti i kryeparlamentarit t’i kthehet asaj, derisa të zgjedhet Presidenti në vitin 2021.

Kurti nuk e ka pranuar këtë ofertë, duke thënë se nuk e sakrifikon Konjufcën dhe as nuk i ndihmon LDK’së ta shkarkojë.

Pas këtyre refuzimeve, nuk ka pasur më ndonjë zhvillim në negociatat mes partisë së parë dhe të dytë të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Komento: