Haliti: Interesi i Kurtit nuk është anëtarësimi në KiE, por fokusi tek zgjedhjet e këtij viti

20:33 | 10 Maj 2024
haliti:-interesi-i-kurtit-nuk-eshte-anetaresimi-ne-kie,-por-fokusi-tek-zgjedhjet-e-ketij-viti


Xhavit Haliti nga PDK-ja thotë për “Front Online” se interesi i kryeministrit Kurti nuk është integrimi i Kosovës në KiE por beteja që të flitet për zgjedhjet e radhës, që sipas tij do të jenë këtë vit.

“Kam përshtypje që interesi i Kurti nuk është integrimi i Kosovës në KiE por beteja që të flitet për zgjedhjet e radhës, që kanë me ardhë gjatë këtij viti ose në fillim të vitit 2025, sipas rregullave që janë, në qoftëse nuk jep dorëheqje ose nuk bjen qeveria. Prandaj edhe po e bënë këtë akrobacion politik, duke u përpjekur t’i mashtroj gjithë faktorët relevantë siç janë vendet e BE-së, dhe në fund beteja për zgjedhjet e ardhshme do të jetë një betejë pikërisht në këtë mospranimin e tij për ta bërë Asociacionin”, theksoi Haliti.

Ai poashtu thotë se në rastin e kushtëzimit të draft-Asociacionit për anëtarësim në KiE, kemi të bëjmë me dy çështje, kushtet e Albinit dhe e vërteta e Marrëveshjeve, që ai i konsideron krejt të kundërta.

“Këtu kemi të bëjmë me dy çështje, kushtet që po i nxjerrë ky Albini dhe e vërteta me marrëveshjet që janë të nënshkruara edhe në Bruksel edhe në Ohër. Në asnjërën marrëveshje nuk ekziston teksti i nënshkruar në të cilin Serbia duhet ta pranojë Pavarësinë e Kosovës para se të fillojnë negociatat por janë kushtet dhe obligimet për të dyja palët. Duke marrë parasysh ne kemi obligimet tona të nënshkruara në Bruksel, zotimet në Ohër dhe mendoj sqë nuk është shantazh, nuk është presion por është obligim që e ka  marrë Kosova gjatë negociatava në Vjenë 2007-2008, gjatë negociatava në Bruksel 2013-2015 dhe në fund zotimet në Marrëveshjen e Ohrit. Pra, këto janë çështje për të cilat, pas Kumanovës, pas Luftës së UÇK-së, pas bombardimeve të Natos, janë bërë për t’i krijuar mundësi Kosovës edhe Serbisë për tu bërë si “të mirë” mes vete dhe për tua pamundësuar përplasjet edhe ushtarake edhe politike por për t’ua krijuar mundësitë të dyja palëve që të jenë pjesë e BE-së”, tha ai.

Haliti thotë se Kurti duhet të ndryshoj politikat dhe çasjen, të vendos jo mbi bazën e dëshirave të tij por në interes të Kosovës.

“Mendoj që qëndrimet e Kurtit janë qëndrime jo të duhura, qëndrime që çojnë ujë në mullirin e Serbisë, qëndrime që i kundërvëhen politikave perëndimore të cilat janë dhe kanë qenë në krah të Kosovës prandaj mendoj që ai duhet të ndryshoj politikat dhe çasjen dhe të vendos jo mbi bazën e dëshirave të tij por të vendos në interes të Kosovës. Dhe, interesi i Kosovës është të futet në procese të integrimeve evropiane dhe të tjera, pa kushtëzim tonin por duke i vlerësuar të gjitha ato zotimet që janë marrë mbi bazën e Marreveshjeve”, tha Haliti.

Në fund, Haliti thotë se problemi është që po diskutohet thuajse Kosova ka për ta pranuar BE-në dhe të vendos për të, dhe jo e kundërta.

Komento: