
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se kërkesat e Kurtit për ndarjen e integrimit nga dialogu me Serbinë, janë të logjikshme dhe të dëshirueshme.
Haliti tha se dëshira e të gjithëve në Kosovë është që integrimi i Kosovës të bëhet pa kushte.
“Kërkesat e Kurtit, janë të logjikshme dhe të dëshirueshme jo vetëm për Kurtin, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo kërkesë do ishte e papranueshme për faktorin ndërkombëtare menjëherë pas përfundimit të luftës, nëse neve do instalonim pushtetin tonë dhe do vendosnim e zbatonim ligjet evropiane në çdo aspekt . Pra dëshira e Albinit dhe po besoj e të gjithëve në Kosovë është që integrimi i Kosovës të bëhet pa kushte dhe i lehtësuar”, tha Haliti për Gazeta Blic.
Deputeti thotë se Kosova është njëra ndër pikat më të nxehta nga ku mund të destabilizohet rajoni, ku thotë se për ta stabilizuar duhet të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
“Por populli thotë “dardha e ka bishtin” dhe dëshirat tona në këtë variant janë të pa realizueshme. Pra, është njëra anë e medaljes, ana tjetër është presioni ndërkombëtarë për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij. Sipas analizave politike e të sigurisë që janë bërë nga ndërkombëtarët, Kosova është njëra nga pikat e nxehta nga nga ku mund të destabilizohet rajoni, prandaj për ta stabilizuar duhet fillimisht me u zbatu marrëveshjet dy palëshe e shumëpalëshe, që dmth, stabilizimi i raporteve në mes palëve në Kosovë përmes themelimit të Asociacionit dhe zbatimit të marrëveshjeve tjera të nënshkruara në Bruksel”, theksoi ai.
Sipas Halitit, kryeministri Kurti më shumë e ka mendjen tek zgjedhjet e ardhshme, sesa tek zgjedhja e problemeve të Kosovës.
“Sipas meje Albini dhe ekipi i tij janë bërë të bezdisshëm dhe të pa sinqertë me deklarimet e tyre. Si duket akrobati politik Albin Kurti mendjen e ka më shumë tek zgjedhjet a ardhshme se sa për ti zgjedhë problemet e Kosoves dhe krijimit te besueshmërisë me partnerët strategjik”, përfundoi Haliti