Hapen 70 pozita për punë praktike me pagesë përmes programit “Gratë në Energji” – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Hapen 70 pozita për punë praktike me pagesë përmes programit “Gratë në Energji”

23:09 | 08 Qershor 2021

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) ka lansuar thirjen e tretë të pozitave për punë praktike me pagesë për gratë në sektorin e energjisë. Rreth 70 pozita të reja tani janë të hapura për vajzat dhe gratë që janë të interesuara t’i bashkohen këtij sektori edhe nëse studimet e tyre paraprake nuk janë të po të njejtës fushë.

Kompanitë dhe organizatat lidere në sektorin e energjisë, si KEK, KESCO, KOSTT, KEDS, JAHA Solar, GFA Consulting, Alb Architect, dhe Europe Systems ndër të tjera, i janë bashkuar MFK-së në këtë valë të tretë të mundësive për punë praktike përmes Programit Gratë në Energji.

Disa nga pozitat e hapura përfshijnë: Zyrtare për Eficiencë të Energjisë, Projektuese në Energjinë me Erë, Inxhiniere në fushën e Arkitekturës, Inxhiniere e Mjedisit, Asistente për Çështje Mjedisore dhe Sociale dhe shumë pozita të tjera, për të cilat mund ta vizitoni uebfaqen Women in Energy Internship Program Website dhe të mësoni më shumë edhe për kualifikimet e kërkuara.

Presidentja Vjosa Osmani në një deklaratë gjatë ceremonisë së diplomimit të 26 vajzave nga Kosova, po ashtu pjesë të Programit të MFK-së “Gratë në Energji”, tha se ky program kontribuon drejt ndryshimit të rrjedhës së historisë për gratë kosovare në energji. Presidentja Osmani po ashtu deklaroi: “Të gjithë po mësojmë nga dita në ditë se veprimet në sektorin e energjisë kanë pasoja të vërteta në sektorët e tjerë, në jetën tonë dhe së fundi në shëndetin tonë”. Përderisa po ashtu theksoi se “zhvillimi i sektorit të energjisë bën pjesë ndër përpjekjet kryesore drejt rimëkëmbjes ekonomike të vendit”.

Koordinatorja e Programit për Punë Praktike dhe Bursa në MFK, Gresa Statovci, u shpreh: “Kjo është ftesa me numër rekord të pozitave për punë praktike të ofruara për vajzat dhe gratë e interesuara në sektorin e energjisë. Për të qenë sa më gjithëpërfshirës, kemi bërë përpjekje të ofrojmë punë praktike nga fusha të ndryshme (inxhinieri, arkitekturë, juridik, ekonomi, matematikë etj.) në komuna të ndryshme si në Prishtinë, Vushtrri, Lipjan, Zveçan”.

Që nga viti i kaluar kur edhe u lansua ky program nga MFK, afro 40 vajza kanë filluar punën praktike në kompani dhe organizata të sektorit të energjisë, si pjesë e Programit Gratë në Energji-Programi i Punës Praktike me Pagesë. Madje, disa nga praktikantet edhe kanë arritur të zgjasin kontratat e tyre dhe të vazhdojnë angazhimin e tyre si punonjëse të rregullta në kompanitë përkatëse. Në ndërkohë, edhe dhjetëra vajza të tjera do të jenë përftuese nga ky Program i MFK-së, i cili ka për qëllim të krijojë një urë lidhëse në mes të punëdhënësve dhe grave të cilat edhe pse me përvojë të limituar profesionale, kanë vullnetin dhe dëshirën t’a japin kontributin e tyre në kërë sektor.

Përmes programit ‘Gratë në Energji’ MFK përpiqet të ngrisë vetëdijësimin e grave mbi mundësitë që sektori i energjisë ofron, si dhe njëkohësisht të përgatisë ato për tregun e punës, duke iu ofruar bursa studimore, punë praktike dhe trajnime. Të gjitha këto, do të rezultojnë me rritjen e numrit të grave të përgatitura profesionalisht për punë të ndërlidhura me energji, si dhe me zvogëlimin e hendekut gjinor në këtë sektor në Kosovë.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) është fondacion i pavarur i themeluar në vitin 2017 për të implementuar Marrëveshjen e Pragut midis Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation-MCC), me vlerë 49 milionë dollarë. Programi i Pragut i Kosovës adreson dy pengesa kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës: furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike; dhe dobësitë reale dhe të përceptuara në sundimin e ligjit, përgjegjshmërinë e qeverisë dhe transparencën.

Komento: