Haradinaj flet për luftën në Ukrainë: Putini e ka luftën e humbur

17:53 | 22 Mars 2022

“Putin e ka luftën e humbur”, Haradinaj i bën një analizë përfundimit të luftës në Ukrainë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bëtë një analizë luftës në Ukrainë.

Haradinaj në emisionin “Frontal” në T7 tha se Putin do të dështojë me luftën që ka nisur në Ukrainë.

“Po e shohim luftën në Ukrainë, luftë të cilën edhe ne kemi përjetuar. Atë që po e bën Putini e Rusia në Ukrainë, luftë vrasëse, shfarosëse e kriminale me e kemi përjetuar nga Millosheviq, gjenocidi i Serbisë në Kosovë. Ne bashkëndjejmë me Ukrainën por edhe me koalicionin që është krijuar me e ndal këtë luftë të Putinit që do të dështojë”, tha ai.

Ish-kryeministri ka renditur edhe disa nga arsyet pse mendon se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do ta humbë luftën që e ka nisur në Ukrainë.

“Shkurt me thanë, Putini i ka disa probleme. Sipas meje ai e ka luftën e humbur. E ka moralin e dëmtuar për shkak se sistemi rusë është mjaft i korruptuar i tëri, edhe politik, ekonomik edhe i sigurisë. Çdo ushtarak e ushtarë kur e dinë se si funksionin sistemi i shtetit të vet i tillë me korrupsion nuk e ka moralin e njëjtë. Ka edhe doktrinën e dëmtuar, e kjo ka të bëjë me faktin që një ushtri që e ka quajtur veten si më të fortën në botën, tani bombardon banesa,. Cila është kauza e kësaj lufte kur ty të ka çu shteti ytë në një vend e me bombardu banesat ku jetojnë gra e fmi. Çdo ushtarak që ka dinjitet, preferon që të sulmojë caqe ushtarake e armikun e jo me vra gra e fëmijë e me përzënë vendbanime, e me e lanë popullin pa ujë e rrymë”, tha ai.

Ai kritikoi edhe përdorimin e tankeve si mjet lufte nga Rusia. Sipas Haradinajt, ka kaluar koha e tankut.

“Kanë problem edhe në planifikim. Rusia po shkon si në kohën e përparme, të tytave të zjarrit për ta krijuar tërë epërsinë në luftë. Nuk është më ashtu. Shihet që në planifikim janë të dobët. Shihet se sa të dobëta janë njësitë e blinduara të tyre, tanket. Nuk është tanku më tank. Ka vdekur tanku gati në luftë, si kali dikur. Tani për tankun është gjet ilaçi. Siç po shihet tani sistemet raketore, dronët e më tutje. E fundit është mbështetja. Këta nuk kanë fare mbështetje. Nëse e merr Ukrainën në anën tjetër ka përparësi të madhe”, deklaroi Haradinaj në “Frontal”.

Komento: