Haradinaj i reagon Kurtit për demarkacionin, e publikon këtë dokument

17:58 | 21 Mars 2022

Çështjen e demarkacionit me Malin e Zi është bërë temë mes kryeministrit Albin Kurti dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kurti tha sot se po e pret ardhjen e një qeverie të re në Mal të Zi, me shpresën që do të lëvizë diçka për korrigjimin e demarkimit të kufirit.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Atij i ka reaguar shpejt kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se dy nga tri dokumentet kufirin e Kosovës e përcaktojnë në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit.

“E vërteta është vetëm një. Dy nga tri dokumentet e miratuara, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, e përcaktojnë kufirin në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Komento: