Haradinaj: Mora besimin e Këshillit të Përgjithshëm që të jem kandidat për president të Kosovës

18:25 | 12 Gusht 2020

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka theksuar se ai ka marrë besimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që të jetë kandidat për president.

Ai ka shkruar se KP i ka dhënë besimin edhe për negociata për riformatizim të qeverisë.

“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar.

Postimi i plotë:

Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.

Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.

Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.

Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.

Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë.

RH

Komento: