Haradinaj reagon: Nuk e kuptoj cilindo shqiptar që i pengon ekzistenca e Fondit

23:45 | 25 Prill 2022

Fondi i Sigurisë është bërë sërish në temë diskutimi.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj kritikave të deputetëve të PDK-së dhe të tjerëve për Fondin e Sigurisë.

Haradinaj konsideron se çështja e Fondit të Sigurisë nuk duhet të jetë çështje e opozitëbërjes, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Mendoj se është e udhës të përjashtohet si çështje e opozitëbërjes çështja e Fondit. Në çdo praktikë, ka gjëra që lihen jashtë politikave ditore. Nuk mendoj se Fondi i Sigurisë është politikë ditore”, tha Haradinaj në Kanal 10.

Ai bëri thirrje për përkrahje të Fondit nga të gjithë teksa shtoi se mjetet e siguruara janë plotësisht transparente pasi që çdo kontribut kryhet përmes bankave.

“Mendoj se është shumë me rëndësi t’u bëj thirrje shqiptarëve të Malit të Zi, të Preshevës, të Maqedonisë, të Shqipërisë, emigrantëve tonë kudo që janë, ta ndihmojnë Fondin e Sigurisë. Çdo instrument shtesë është i mirëseardhur. Nuk është e mundur të mos ketë transparencë ligjore sepse çdo e hyrë vjen vetëm nga bankat, jo me para në dorë”, tha Haradinaj, transmeton Reporteri.net.

Tutje, Haradinaj shtoi se nuk i kupton ata që janë kundër këtij Fondi.
“Çka është problemi tek këta që po e kundërshtojnë Fondin për Sigurinë. Edhe atyre (PDK-së) iu ka hy virusi. Nuk e kuptoj cilindo shqiptar që i pengon ekzistenca e Fondit”, tha Haradinaj.

Komento: