Haradinaj – shansi i humbur për Kosovën

09:20 | 23 Korrik 2019

Ramush Haradinaj, ashtu siç është, me të gjitha të mirat dhe të këqijat, ishte dhe, deri tash, mbeti lideri i vetëm, nga të gjithë të tjerët në skenën politike njëzetvjeçare në Kosovë, që do të mund t’i delte përpara e do të mund ta ndalte TË KEQEN E MADHE në Kosovë. Për ta mposhtur këtë të keqe, Haradinajt do t’i mjaftonin votat e LDK-së dhe të LVV-së, në Kuvendin e Kosovës, dhe këshilltarë-ekspertët e mirëfilltë, jo domosdoshmërisht partiakë, që nuk i mungojnë botës shqiptare. Pra, votat dhe ekspertët.
***
Fatkeqësisht, si kryeministër, deri tash, kur dha dorëheqje, Haradinaj ishte dy herë i NDËRPRERË. Herën e parë (2004), vetëm tre muaj pasi e kishte marrë postin e kryeministrit, ai u ndërpre nga Tribunali i Hagës. Herën e dytë, pra tash, ai u ndërpre nga Gjykata Speciale, në Hagë, gati dy vjet pasi e kishte marrë postin e kryeministrit.

Përveç si kryeministër i ndërprerë, herën e dytë Haradinaj ishte edhe kryeministër i PENGUR. Që nga dita e parë, kur me minimumin e votave të nevojshme u zgjodh kryeministër, opozita e re, LDK-ja u deklarua se, që nga ai moment, ajo do të punonte për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe, e përkrahur edhe nga LVV-ja, për afër dy vjet rresht, s’kanë lënë gur pa lëvizur, në skenë dhe në prapaskenë, për ta penguar Haradinajn, në punën e tij si kryeministër.

Gjatë qeverisjes dyvjeçare, Haradinaj s’e pati më lehtë as me partnerët e tij të koalicionit qeverisës: PDK-në, NSD-në dhe AKR-në, në njërën anë, dhe as me kryetarin Thaçi, në anën tjetër. Derisa opozita e pengonte nga jashtë, partnerët e koalicionit e pengonin nga brenda. Thaçi, ndërkaq, e pengonte Haradinajn edhe nga brenda, edhe nga jashtë.

Kryetari Thaçi, me intrigat dhe prapaskenat e tij, tashmë të dala në shesh, i vetëzgjeroi jashtë çdo mase kompetencat e tij, si kryetar, në dëm të Haradinajt, si kryeministër. Përveç kësaj, me veprimet e tij në prapaskenë, brenda në Kosovë dhe në bisedimet me Serbinë, Thaçi e la në terr të plotë informativ dhe, kështu, ai e izoloi kryeministrin Haradinajn, nga zhvillimet përreth tij.

Nga ana tjetër, ngjashëm me Thaçin, edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i PDK-së, i vetëzgjeroi kompetencat e tij, si kryetar i Kuvendit të Kosovës, poashtu në dëm të Haradinajt, si kryeministër. Me shprehjen publike të mospajtimeve me Haradinajn, sidomos në takimet me ndërkombëtarët, Veseli i bënte, kështu, karshillëku në punë të qeverisë, kryeministrit Haradinaj.

Fatmir Limaj i NSD-së dhe Begjet Pacolli i AKR-së, me fare pak mandate në Kuvendin e Kosovës, dy vjet e kushtëzuan dhe e mbajtën të kushtëzuar koalicionin, – me dy pozita zëvendëskryeministrash, për ata vetë. Për partitë e tyre, ndërkaq, ata i siguruan dhjetëra pozita ministrash, zëvendësministrash e këshilltarësh, në Qeverinë Haradinaj.

Pra, pothuaj, i Bllokuar nga Thaçi e Veseli; nën Presionin e kërkesave të partnerëve të koalicionit për pozita e për vende pune, për anëtarët e partive të tyre; nën Kërcënimin e opozitës me votëbesim dhe i Pasigurt në votat e deputetëve të koalicionit, në kuvend; pa e përmendur këtu presionin e madh të ndërkombëtarëve, – Haradinaj, vetëm me ORËN e tij, i ka kryer (ashtu siç i ka kryer), punët e të parit të Qeverisë së Kosovës.

ORA e Haradinajt, pati efekt edhe në heqjen dorë të LVV-së nga metodat e saj radikale të kundërshtimit të qeverisë. Gjatë qeverisjes dyvjeçare të Haradinajt, kryeministrin nuk e gjuajti më askush, as me vezë, as me ujë; shtëpinë dhe veturën e tij s‘i sulmoi më askush; në Kuvendin e Kosovës s’pati më spray, as gaz lotësjellës, si në kohën e paraardhësit të tij, Isa Mustafa.

Pra, pa këtë ORË, që s’e ka asnjëri liderë politikë në Kosovë, nuk mund qeveriset, as mund të mposhtet e KEQJA E MADHE në Kosovë. Ramush Haradinaj, prandaj, është shansi i humbur për Kosovën.

Komento: