Haradinaj thirrje Kurtit e Osmanit: Zgjedhjet në veri duhet të shtyhen

11:01 | 13 Prill 2023

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri duhet të shtyhen.

Haradinaj ka thënë se situata aktuale në veri duhet trajtuar urgjentisht, derisa u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të veprojnë me seriozitet.

“Ne duhet të kemi guxim politik t’i trajtojmë temat në realitetin e vet. Nuk besoj se përfiton Kosova nëse heshtim edhe më tutje për gjendjen në veri. E dini se procesi për të mbajtë zgjedhje tash në veri nuk është i qëndrueshëm. Pse jemi në këtë gjendje. E dimë shumë mirë agjendën e Serbisë, por a e din Qeveria jonë rrugën deri te suksesi. Me sa shoh unë dhe informatat që kam, gjendja e sotme nuk na dërgon tek suksesi, procesi i tashëm nuk na dërgon tek suksesi. Mostrajtimi i kësaj gjendje me kujdes edhe me aleatët tanë mund ti thellojë pasojat për veriun.

Duhet t’i bëjmë analizë kësaj situate. A është në interesin tonë të arrijmë në këtë ditë. Nuk besoj se duhet të heshtim këtë gjendje. Më mirë ta pranojmë një çerek humbje sot, sesa një humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve. Ju bëj thirrje qeverisë e institucioneve të vendit ta marrin me kujdes situatën në veri dhe ta marrin një vendim: unë besoj shtyerja e zgjedhje duhet të jetë ky vendim”, ka thënë Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Komento: