Haradinaj: Vërshimet kanë marrë përmasat e një fatkeqësie natyrore, të krijohet Fondi Emergjent

13:24 | 20 Janar 2023

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se pas vërshimeve duhet të krijohet një fond emergjent nga Qeveria e Kosovës.

Ai tha se vërshimet në Kosovë tashmë i kanë marrë përmasat e një fatkeqësie natyrore në nivel kombëtar.

“Informatat nga terreni flasin për një gjendje tejet të rëndë të mijëra familjeve, të cilat po përballen me mbijetesën. Kjo e shtron nevojën menjëhershme të krijimit të një Fondi Emergjent nga Qeveria. Qytetarët kanë nevojë për strehim, për ushqim, për ilaçe dhe veshmbathje. Ata kanë nevojë për ndihmën e shtetit. Udhëheqjet komunale e kanë të pamundur të përballen me pasojat”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tha se fitore e kësaj qeverie sot mund të jetë përballimi i kësaj fatkeqësie natyrore e “jo përmbysja e Projektligjit për Trust-in”.

“Bëni diçka në jetën tuaj për qytetarin, sepse shteti është i qytetarit e jo i udhëheqjes!”, ka shkruar Haradinaj.

Komento: