Haxhiu pas arratisjes së Sekiraqës: Qasja joprofesionale e gjyqtarëve po e trash krimin

19:33 | 18 Maj 2024
haxhiu-pas-arratisjes-se-sekiraqes:-qasja-joprofesionale-e-gjyqtareve-po-e-trash-krimin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arratisjes së Enver Sekiraqës, duke thënë se dikush që është i njohur për publikun, gjyqësinë e Prokurorinë për Krime të Rënda, lihet në arrest shtëpiak.

Haxhiu kritikoi gjyqtarët duke thënë se qasja joprofesionale e tyre në shumë raste po rezulton me trashje të krimit.

“Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”.

“Caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mosndryshimi i asaj mase, është skandal i madh. Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak për t’u kthyer në paraburgim”, tha Haxhiu.

Më tej, ajo tha se sistemi gjyqësor i Kosovës, për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj, po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar arratisje e përsëritje të veprave kriminale.

“Kjo gjë është tejet shqetësuese dhe do të duhej të shërbente si alarm jo vetëm për rastin specifik, por për të tilla raste në përgjithësi”.

“Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze”, tha Haxhiu, përcjell Klankosova.tv.

Ajo tha se ky rast, përveç tjerash ngre dyshime edhe për përfshirje në korrupsion, prandaj sipas saj, duhet të ketë një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që mundësuan këtë arratisje.

Komento: