Hoti i heshtur, udhëton nesër për në Paris

21:56 | 05 Korrik 2020

Në një moment tepër kritik kur Kosova është goditur në njërën anë nga pandemia dhe në anën tjetër nga Gjykata Speciale, e cila duke shkelur rregullat themelore beri publik qëllimin e saj për të akuzuar strukturat udhëheqëse të UÇK, Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, në heshtje po përgatitet që të udhëtojë nesër për Paris.

Sipas burimeve të Gazetës Metro brenda Qeverisë, kryeministrin Hoti nesër do të udhëtojë në Paris ku pritet të takohet me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Ky takim pritet të mbahet si përgatitje për Samitin e Parisit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të mbahet në 10 Korrik në Paris.

Burimet e Metros tregojnë se Parisi dhe Berlini janë duke insistuar mbajtjen me çdo kusht të Samitit të Parisit i cili nënkupton edhe rifillimin zyrtar të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE’ja.

Ndonëse Hoti sot foli pak rreth këtij takimi duke thënë se po e pret datën e konfirmuar,Zyra e Kryeministrit ende nuk e ka bërë publike këtë vizitë dhe nuk ka dhënë asnjë detaj si do të përfaqësohet Kosova atje.

Gjithë këto takime dhe zhvillime në kuadër të rifillimit të dialogut po ndodhin vetëm pas dështimit të takimit të parapare në Shtëpinë e Bardhe në Uashington, i cili dështojë pas bërjes publike të inicimit të aktakuzave kundër Presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK, Kadri Veseli.

Tani që Presidenti Thaçi është detyruar të tërhiqet nga puna aktive, duket se evropianet po nxitojnë ta shfrytëzojnë këtë vakum për të fuqizuar Hotin si përfaqësues i vetëm i Kosovës, përkundër faktit se udhëheq një Qeveri të dobët dhe nuk gëzon legjitimitet qytetar.

Kujtojmë se zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi emrat e Thaçit e Veselit si të dyshuar për krime lufte, por jo edhe 9 personave të tjerë që u përmenden në njoftim.

Vlen të theksohet po ashtu se akuza nuk është proceduar dhe vulosur nga Gjykata Speciale.

Ndërsa, nga analistët vendorë e ndërkombëtarë është komentuar si ndërhyrje politike kundër bisedimeve në Shtëpinë Bardhë që pritej të fillonin më 27 qershor.

Komento: