Hoti: LDK kishte të drejtë, Qeveri praktikantësh

16:31 | 16 Nëntor 2022

Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte të drejtë për cilësimin “praktikantesh” të cilën ia kanë vënë zyrtarëve të Qeverisë Kurti.

Pos çështjeve që lidhen me politikat e brendshme dhe diplomacinë, Hoti shprehi një mori kritikash për qasjen e ekzekutivit ndaj çështjeve ekonomike, gjatë një interviste për emisionin Pressing në T7.

Kritikoi logjikën e Qeverisë për të vendosur çmimet e produkteve në treg, Hoti që me profesion është ekonomist ka thënë se “çmimet vendosen prej kërkesës dhe ofertës”.

“Megjithatë, shteti i ka disa mekanizma për t’i monitoruar situatat ku shkelet konkurrenca”, thotë Hoti.

Më tutje, pretendon se të dhënat e paraqitura nga ekzekutivi për rritje ekonomike dhe buxhetin për vitin 2023 janë nominale – aspak reale.

“Kërkojnë 47 milionë euro kredi në Bankën Botërore për politika sociale dhe pastaj krenohen që kanë mjaftueshëm buxhet”, ka deklaruar Hoti.

Pikërisht, kritika për mënyrën sesi Qeveria i shpenzon paratë nga kreditë. LDK-ja nuk e ka votuar marrëveshjen ndërkombëtare të Qeverisë së Kosovës me Bankën Botërore për reformimin e skemave sociale – e quan politikë të gabueshme.

Ndërkaq, sipas Hotit Qeveria me politikat e saj e ka vështirësuar edhe gjendjen në bujqësi.

“Subvencionimi duhet të rritet për 25 për qind për t’u mos u përkeqësuar gjendja në bujqësi”, thotë Hoti.

E inflacioni është i lartë në produktet bujqësore, “mbi 30 për qind shkon rritja e produkteve për produktet esenciale”, ka deklaruar ish-menaxheri i kuletës së shtetit.

Pos rritjes së çmimeve të produkteve esenciale, foli edhe për ngritjen e karburanteve, duke shpjeguar se kjo kosto nuk e përfshin vetëm furnizimin e veturës me naftë – por edhe produktet përcjellëse.

Është i vetëdijshëm se në këtë situatë ka edhe faktorë të jashtëm – s’e drejton gishtin veç kah Qeveria.

“Në sektorin e bizneseve nuk ka asnjë zhvillim, konteksti ndërkombëtar nuk është aspak favorizues. Edhe brenda vendit kur mungojnë politikat favorizuese mund të jetë një vit i vështirë”, ka thënë Hoti.

Por thotë se qasja joaktive e Qeverisë e ngarkon situatën e ndikuar edhe nga faktorët e tregjeve ndërkombëtare.

Përgjithësisht kritika e Hotit për qasjen e Qeverisë së Albin Kurtit ndaj krizës është shtrirë në rrafshin e mosaktivitetit në rrethana.

Kosova ka rezerva buxhetore për shkak se nuk ka pasur investimet kapitale, e ka përmendur ndër tjerash Hoti.

Ka shtuar se situata është e rëndë, rrjedhimisht nga ekzekutivi kërkoi veprim, madje të menjëhershëm.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka pretenduar se po iu del qytetarëve në ndihmë përmes Pakos për Ringjalljes Ekonomike si dhe pakos anti-inflacion.

Por opozita kërkon diçka më shumë, pasi thonë se Qeveria “veprimet i ka të vogla”.

Komento: