Hoti shtron pyetje parlamentare për marrëveshjen KEDS- Elektrosever, përmend një deklaratë të Kurtit

13:29 | 13 Dhjetor 2023
hoti-shtron-pyetje-parlamentare-per-marreveshjen-keds-elektrosever,-permend-nje-deklarate-te-kurtit

Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, ka njoftuar se ka shtruar pyetje parlamentare për përgjigje me shkrim në lidhje me marrëveshjen mes KEDS’it dhe Elektroseverit.

Ai i ka bërë të ditura pyetjet që ka parashtruar: Kur është nënshkruar marrëveshja mes KEDS-it dhe Elektroserverit?  Ju lutem të dërgoni kopjen e kësaj kontrate.  A është regjistruar Elektroserver si kompani sipas ligjeve të Kosovës?  Ju lutem të dërgoni regjistrimin biznesor të Elektroserverit. A ka marrë Elektroserver licencë nga ZRRE për operim? A mund të cekni numrin e licencës?

Hoti ka thënë se kjo marrëveshje nuk është bërë publike dhe se ka shumë konfuzione për mënyrën e marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje nuk është bërë publike dhe ka shumë konfuzione lidhur me mënyrën e marrëveshjes. Sipas raportimit të ZRRE-së në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Financa dhe Transfere, Qeveria e Kosovës ka pagur 113 mil euro për energjinë e shpenzuar në komunat në veri në vitin 2021 dhe 2022.”

Në fund, ai ka shtruar pyetjen se a qëndron ende deklarata e Kurtit për Elektroseverin

“A qëndron ende deklarata e Kryeminstrit Kurti se: Elektroserveri nuk duhet të pranohet kurrsesi; nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat në veri, atëherë shpërndarja edhe furnizimi duhet të kthehet në pronë publike; nëse këtë nuk e bën KEDS-i duhet ta bëjë Qeveria?!”

Komento: