Hovenier për rregulloren e re të BQK-së: Të merren veprimet e duhura

16:23 | 01 Shkurt 2024
hovenier-per-rregulloren-e-re-te-bqk-se:-te-merren-veprimet-e-duhura

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier në një konferencë për media ka thënë se ka ndarë shqetësimet me kryeministrin Kurti në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin e Serbisë.

Ai ka shprehur drojë se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja në veri për shkak të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Hovenier ka thënë se duhet të merren veprime të duhura për të siguruar që serbët do të jenë të sigurt, pasi sot ka hyrë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, e cila e ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.

“Serbët do të ndjehen të shkëputur nga benefitet që i përfitojnë. Askush nuk e dëshiron këtë”, tha Hovenier pas takimit me kryeministrin Kurti, teksa nuk dha detaje rreth diskutimeve me të parin e ekzekutivit.

Që nga paslufta më 1999, Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.

Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar dinarin edhe për pagesat në dyqane dhe restorante.

Ata, po ashtu, kanë mundur të tërheqin dinarë nga bankomatet e bankave me bazë në Serbi.

Dinarët kanë hyrë në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës.

Ato para, pastaj, i ka transportuar kompania për transport të parave “Henderson”.

Kjo situatë është zhvilluar kështu pavarësisht faktit se Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës përcakton “një monedhë të vetme” si mjet të vlefshëm pagese në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës e ka justifikuar rregulloren e saj duke thënë se ka “obligim ligjor” për ta rregulluar sistemin financiar, veçanërisht një çështje si monedha, e cila “ka mbetur e parregulluar për një kohë shumë të gjatë”.

Edhe pse zyrtarët kosovarë premtuan një “tranzicion të lehtë” nga dinari në euro, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të enjten se blloku “është i shqetësuar për pasojat që ky vendim mund t’i ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën, për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake”.

Komento: