Hovenier: ShBA-të do të marrin masa pasi të vërtetohet kush qëndron prapa sulmit në Banjskë

20:34 | 12 Tetor 2023
hovenier:-shba-te-do-te-marrin-masa-pasi-te-vertetohet-kush-qendron-prapa-sulmit-ne-banjske

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin masa, pasi të vërtetohet kush qëndron para sulmit terrorist në Banjska, të Zvçanit, më 24 shtator.

Hovenier, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se përgjegjësit për sulmin e 24 shtator duhet dhe do të mbahen përgjegjës.

“Ky nuk është një vendim që do ta marr si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ky është një vendim që do të marrë qeveria ime. Por, më lejoni të them përsëri, ne besojmë se përgjegjësit për këtë krim duhet dhe do të mbahen përgjegjës”, ka thënë Hovenier.

Më tej Hovenier ka thënë se veriu është territor sovran i Kosovës dhe autoritetet kosovare kanë përgjegjësi për të zbatuar ligjin.

“Jemi të shqetësuar për çdo veprim që do të destabilizonte situatën në veri. Jemi të shqetësuar për çdo veprim që rezulton në individë të armatosur dhe të trajnuar që veprojnë në një mënyrë që është në kundërshtim me rendin ligjor. Ne besojmë se ky është territor sovran i Kosovës. Besojmë se autoritetet e Kosovës kanë përgjegjësinë për të zbatuar ligjin. Pra, ne e marrim atë shumë seriozisht”, ka thënë ndër të tjera Hovenier.

Hovenier ka theksuar se është zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Nëse asgjë tjetër ngjarjet e 24 shtatorit tregojnë se ekziston një nevojë urgjente për të arritur në një ripozicionim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një marrëdhënie në të cilën ka respekt të ndërsjellë, një në të cilën mosmarrëveshjet zgjidhen me mjete paqësore, një në të cilën komuniteti etnik serb në Kosovë ndjen se respektohet dhe mund të gëzojë disa të drejta për t’i mbrojtur pjesëtarët e tij.

E gjithë kjo është pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE. Është shumë thelbësore të shkohet drejt kësaj, për t’iu rikthyer procesit të arritjes së zbatimit të plotë nga të dyja palët të marrëveshjeve të arritura, Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj”, ka shtuar ambasadori amerikan.

Unë besoj, qeveria ime beson se një nga mënyrat për të rritur urgjentisht sigurinë e Kosovës është përmes zbatimit të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të zbatimit. Kjo do të rrisë jashtëzakonisht sigurinë e Kosovës. Prandaj, ne mendojmë se është kaq urgjente të ecim përpara në dialog për ta arritur këtë”, ka shtuar ambasadori amerikan.

Komento: