Hovenier: Unë, Washingtoni dhe QUINT-i po i kërkojmë qeverisë ta shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së

22:11 | 06 Shkurt 2024

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka folur për takimin e fundit me ambasadorët tjerë të akredituar në Kosovë dhe ata të QUINT-it, për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore lidhur me dinarin.

“Mendoj se krejt çka mund të bëj është të flas për kërkesën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Para së gjithash, më lejoni të sqaroj disa gjëra. Kërkesa jonë është shumë e qartë. Ne po i kërkojmë qeverisë, jo vetëm unë, ka kërkesa edhe nga Uashingtoni, por edhe kolegët e mi të QUINT-it e kanë këtë pikëpamje, që qeveria tash për tash do të duhej të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore”, tha Hovenier në Rtv21.

Hovenier shtoi se “po e kërkojmë këtë sepse besojmë që puna parapërgatitore e nevojshme për zbatimin me sukses të saj në mënyrë që të mos ketë ndikim të padrejtë në komunitetet e cenuara – dhe po flasim për komunitetet pakicë, po flasim, ndër të tjera, për komunitetin etnik serb në Kosovë – se puna që duhet bërë, që është dashur të bëhej për të shmangur ndikimin e saj negativ nuk është bërë. Më lejoni të jem shumë i qartë për këtë. Ne nuk e kontestojmë Kushtetutën e Kosovës. Ne e pranojmë dhe e respektojmë atë. Për hir të Zotit, ne e mbështetëm procesin dhe zhvillimin e tij. Ne nuk i kontestojmë autoritetet e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Në fakt, sërish, qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare për rolin që kemi luajtur në mbështetje të zhvillimit të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera.

“I mirëpresim përpjekjet e Kosovës, si çdo vend tjetër në botë, për të vënë në zbatim rregulloren, ligjin, procedurat që zvogëlojnë mundësitë për kryerjen e krimeve financiare, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, gjëra të tilla. Pra, ne nuk kemi problem filozofik që Banka Qendrore të vendosë një rregullore që do t’i përmbushte këto synime. Jemi të shqetësuar se mënyra në të cilën kjo rregullore po zbatohet apo planifikohet të zbatohet nuk merr parasysh siç duhet disa realitete. Dhe këto realitete për të cilat ne besojmë se nuk merren parasysh në mënyrë adekuate ndikojnë drejtpërdrejt në një nga çështjet më të ndjeshme në dialogun bilateral… në dialogun Kosovë-Serbi që ne e mbështesim e që janë veprimet që prekin komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kjo është arsyeja e kërkesave tona”, tha Hovenier.

Hovenier u pyet se pse SHBA-ja dhe të tjerët po i kërkojnë me kaq ngulm shtyrjen e këtij procesi.

“Çështja nuk është te përdorimi i euros. Çështja është se nuk janë marrë me kohë dispozita që trajtojnë ndikimin e vendimeve. Të jemi shumë, shumë të sinqertë për rastet specifike. Pra, mendoj se i kemi dy shqetësime. Dhe më lejoni t’i sqaroj duke përshkruar raste teorike. Shqetësimi i parë: të themi se keni dikë që ka përfituar ndihmë sociale nga Serbia. Dikush merr pension ose pagesë për nënë vetë-ushqyese ose diçka e tillë. Siç e kuptoj unë, mënyra se si është bërë pagesa e atyre mjeteve, edhe sipas dispozitave të Ahtisaarit, edhe sipas kushteve të pranuara nga Kosova, është pranuar se Serbia ka absolutisht të drejtën për të ofruar mbështetje financiare për komunitetin etnik serb në Kosovë”, tha Hovenier.

Hovenier tha tutje se “nuk është punuar fare paraprakisht për të identifikuar mjetet alternative që të mundësohej vazhdimi i pagesës së përfitimeve sociale”.

“Kjo është ajo që na shqetëson. Një pensionist, një nënë vetë-ushqyese, dikush që është i pambrojtur, që llogarit në ato mjetet. Dhe na habit fakti që paraprakisht nuk janë bërë përpjekje për të menduar mirë këtë dhe për të pasur strategji për të lehtësuar çështjen. Shqetësimi tjetër yni ka të bëjë me çështjet praktike. Nuk është sekret që Serbia e mbështet sistemin shëndetësor dhe arsimor në Kosovë. Dhe në fakt, ne kemi punuar tepër shumë dhe besojmë fuqishëm se me kalimin e kohës ato sisteme duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, sipas ligjit të Kosovës. Por sigurisht, Serbia do të vazhdojë të ketë të drejtën të vazhdojë të financojë dhe t’i mbështesë ato. Ne besojmë se duhet bërë në një mënyrë në përputhje me ligjet, kornizën e Kosovës dhe në mënyrë transparente për autoritetet e Kosovës. Pikërisht për këtë kemi punuar kaq shumë në dialogun për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse sipas mendimit tonë, ky është mekanizmi që do të vazhdojë të mundësojë ofrimin e këtyre shërbimeve, por në mënyrë që është në përputhje me ligjin, rregulloren e Kosovës dhe që është transparent”, tha Hovenier.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja po ashtu nuk është paralajmëruar për një vendim të tillë.

“Sa e kam kuptuar, vendimi është marrë më 27 dhjetor. Nuk besoj që kemi pasur ndonjë paralajmërim për të. Me dëshirë do të kishim biseduar me qeverinë e Kosovës për sfidat me të cilat përballen. Nëse qeveria ka qenë e shqetësuar për shkak të automjeteve të blinduara që kanë sjellë shuma të mëdha të parave të gatshme dhe ka dashur të gjejë mënyra alternative për ta bërë këtë që do të ishte më pak të cenueshme, me shumë dëshirë do të kishim biseduar për ato çështje. Nuk besoj se ka pasur bisedime të tilla. Por, që kur u mor vendimi, vazhdimisht ia kemi shprehur shqetësimet tona autoriteteve të qeverisë së Kosovës. Sërish, nuk po kontestojmë autoritetin e qeverisë, autoritetin e Bankës Qendrore, por jemi të shqetësuar për shkak të mënyrës se si Kosova synon ta zbatojë atë që mendojmë se nuk iu përgjigjet apo nuk merr parasysh ndikimin që do të ketë në komunitetin e cenueshëm”, u shpreh Hovenier.

Pak më herët sonte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar rreth kësaj çështjeje.

Komento: