Hykmete Bajrami i kundërpërgjigjet Kurtit: Kështu doni ta kapni Prokurorinë

12:29 | 20 Prill 2023

Kundërpërgjigjja e Hykmete Bajramit për Kurtin: Kështu doni ta kapni Prokurorinë.

Kryeministri Albin Kurti e ka marrë fjalën sot në Kuvend, për ta mbrojtur Kryeshefin Ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqin, i cili është arrestuar dje.

Kryeministri Kurti ka sulmuar Prokurorinë e Shtetit për arrestimin e Krasniqit, e më pas opozitën duke thënë se ata nuk duan debat.

Meqë Kurti përmendi edhe deputeten e LDK-së, Hykmete Bajramin, ajo u kthye në sallë për t’i replikuar atij.

Fillimsht, deputetja Bajrami tha se opozita s’po i ikte debatit, por pozita, e cila nuk pranoi që sot në Kuvend të flitet për zhvillimet e djeshme në KEK.

“Kryeminjistër, unë u ktheva, ju dëgjova kur thatë se i ikëm debatit. Nuk i ikëm. Në fakt, Grupi Parlamentar i PDK-së kërkoi debat për cështjen që po diskutojmë, por Grupi Parlamentar votoi kundër dhe nuk u mbajtë debati. Unë jam këtu për cfarëdo debatoi”, tha Bajrami, transmeton Gazeta Express.

Në lidhje me sulmet e pushtetit ndaj Prokurorisë, Bajrami e ka pyetur Kurtin se si është e mundur që ai e njeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar Qeverinë e Avdullah Hotit, por më pas nuk e pranon vendimin e të njëjtën Gjykatë për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“kryeministër, ndërhyrjet që po i bëni në sistemin e drejtësisë, me deklaratat tuaja, janë të papranueshme. Nuk mund të pajtoheni me Gjykatën Kushtetuese, kur ajo e rrezon Qeverinë Hoti dhe mos me u pajtu kur ajo e shpall antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial, sepse me atë ligj ju keni dashur ta kapni Prokurorinë e Shtetit. Dhe, tani, skandali i djeshëm e shpërfaqi pse ju i doni njerëzit e juaj”.

Kryeministri Kurti ka sulmuar sot veçanërisht Kryeprokurorin e zgjedhur por të padekretuar nga Presidentja, Blerim Isufajn. Bajrami ka thënë se po të donte që me cdo kusht Prokurori Isufaj ta merrte pozitën që s’po i jepet, ai do të bënte pazar me pushtetin, por nuk po e bën këtë.

“Kryeprokurori, të cilin ju po thoni se nuk e doni dhe ai me çdo kusht po dëshiron të bëhet Kryeprokuror. Unë mendoj se, sikur të donte me cdo kusht të bëhet Kryeprokuror, ai do të vinte me dosjen të Nagip Krasniqit në zyrën tande dhe e kishte bë pazarin. Por, përkundrazi, ai nuk po dëshiron me e bë një gjë të tillë dhe këtij vendi, Kryeministër, i duhen prokurorë dhe gjyqtarë që nuk i frikësohen askujt”,

“Ju z. Kryeministër, nuk mund të ndani drejtësi me përkatësi partiake. Qysh ju sot mendoni që 9 muaj Blloku A5 ka qenë jashtë funksionit, 100 milionë euro i janë bë dëm buxhetit të Kosovës dhe e merrni guximin me dalë me thanë që njeriu është prangos sepse ka qenë njeriu i Lëvizjes Vetëvendosje. Në radhë të parë, Kryeshefi i KEK-ut, nuk do të duhej të ishte eksponent i partisë”, ka thënë Bajrami.

Komento: