Hykmete Bajrami i reagon kryetarit të Fushë Kosovës: Jemi në demokraci, jo në komunizëm

21:40 | 27 Nëntor 2026
edhe-hykmete-bajrami-kerkon-zgjedhje-te-brendshme-ne-ldk

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas kërkesës së kryetarit të Fushë-Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për dorëheqjen e drejtorit të një shkolle dhe ndëshkimin e mësimdhënësve që nuk morën pjesë në një manifestim.

Në një status në Facebook, Bajrami e ka cilësuar të patolerueshëm një veprim të tillë, duke ngritur shqetësimin për ndërhyrjen e autoritetit politik në institucionet arsimore.

Ajo ka pyetur se prej kur pjesëmarrja në manifestimet dhe fjalimet e pushtetarëve është bërë kusht për ruajtjen e vendit të punës.

“Prej kur kusht me rujtë vendin e punës është prezenca në fjalime të pushtetarëve? Ka kalu ajo kohë. Sot, jetojmë në demokraci e jo në komunizëm?”, ka shkruar Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka theksuar se askush nuk ka nevojë t’ia dëshmojë atdhedashurinë ndonjë pushtetari, ndërsa ka paralajmëruar se rasti mund të jetë sinjal për ushtrimin e presionit politik edhe ndaj bindjeve personale të punonjësve.

“Sot kërkoi me të ndëshku pse nuk i ke shku në manifestim. Nesër, të ndëshkon pse mendon ndryshe?”, ka shkruar ajo.

Bajrami e ka cilësuar rastin si alarm për ushtrimin e autoritetit politik mbi institucionet arsimore dhe cenimin e dinjitetit të mësimdhënësve.

Komento: