I premtoi nënës se do të vaksinohej në fakultet, vdes 20-vjeçari

10:43 | 30 Shtator 2021

Një student 20-vjeçar nga Karolina Veriore, i cili ngurronte për t’u vaksinuar kundër Covid-19, vdiq nga ndërlikimet pas infektimit me koronavirus tri ditë pas kthimit në fakultet.

Tyler Gilreath, student i Universitetit të Karolinës Veriore – Wilmington, vdiq të martën, pasi doli pozitiv për koronavirus, nga i cili u prek vetëm pak ditë pas rikthimit në fakultet, shkruan Independent, transmeton Express.

Sipas rrëfimit të nënës së tij, Tamra Demello, i riu mendonte se mosha do ta mbronte nga virusi. “E lajkatoja, e inkurajoja, e kërcënoja dhe e bezdisja për t’u vaksinuar. Ai ishte shumë i zënë dhe/ose i shqetësuar për problemet e mundshme afatgjata me zemër”, shkroi Demello në rrjetet sociale.

Gilreath ishte pajtuar që ta marrë vaksinën sapo të shkonte në fakultet, por një gjë e tillë nuk ndodhi. “Jam e shkatërruar përtej asaj që mund të besohet”, tha nëna e tij.

I riu nuk i ndie mirë vetëm tri ditë pasi u zhvendos në fakultet dhe pati një infeksion në sinuse, para se infeksioni t’i kalonte në tru. Ai për një kohë të shkurtër ishte me vetëdije, pasi u dërgua në spital, por qarkulli i gjakut në tru iu ndërpre më pas.

Pas një skanimi që iu bë të premten, u zbulua se studenti kishte dëmtim të pariparueshëm të trurit. Ai vdiq më 28 shtator. Nëna e tij tha se i biri nuk kishte sëmundje të tjera. Ai ishte student i shkencave kompjuterike dhe i pëlqente skijimi.

Demello u bëri thirrje prindërve që të përdorin çfarëdo taktike për t’i bindur fëmijët e tyre që të vaksinohen.

I riu ishte regjistruar në listën e dhuruesve të organeve, kur e kishte marrë patentë shoferin. Nëna e tij njoftoi se nga trupi i të birit do të merren disa organe.

Komento: