Ibrahimi nga VLEN: VMRO-DPMNE dhe VLEN e formojnë Qeverinë, shqiptarët ishin me të bashkuar se kurrë

18:33 | 09 Maj 2024
ibrahimi-nga-vlen:-vmro-dpmne-dhe-vlen-e-formojne-qeverine,-shqiptaret-ishin-me-te-bashkuar-se-kurre


Sekretari i Përgjithshëm i partisë AlternAtivA – pjesë e koalicionit VLEN, Zeqrija Ibrahimi për FrontOnline konsideron se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të konsoliduar dhe me të bashkuar se në këto zgjedhje.

‘’Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të konsoliduar dhe më të bashkuar se në këto zgjedhje. Kanë garuar vetëm në dy kampe zgjedhore ose, më saktë, në një, sepse Fronti Europian e braktisi garën etnike dhe krijoi një koalicion multi-etnik, duke i përfshirë aty bashkësitë etnike, si romët, boshnjakët, turqit e torbeshët’’ thotë ai

Ai shton se shqiptarët kanë fituar së paku 30 deputetë e që e konsideron sukses të përgjithshëm kombëtar dhe se Qeveria e re do të bëhet mes VMRO-DPMNE dhe bllokut shqiptar VLEN.

‘’Sidoqoftë, shqiptarët i kanë fituar së paku 30 deputetë dhe ky është një sukses i përgjithshëm kombëtar. Sidoqoftë, qeveria e re do ta bëhet mes partisë fituese te maqedonasit, në këtë rast VMRO-DPMNE-së, dhe blloku shqiptar VLEN, i përbërë nga disa parti politike shqiptare, që ka pasur edhe mbështetjen e Kryeministrit Albin Kurti’’ deklaron Ibrahimi.

Ai thotë se kanë pasur rezerva për mbështetjen e kandidates së VMRO-DPMNE për presidente sikurse kryeparmanetari i Kosovës, Glauk Konjufca.

‘’Kryeministri Albin Kurti ka shprehur mbështetje publike për koalicionin tonë, ndërsa z. Konjufca ka shprehur rezerva për znj. Siljanovska, siç kemi pasur vërejtje edhe ne, andaj edhe ne nuk shprehëm mbështetje për të, por kjo nuk nënkupton që mos të kemi edhe partneritet për bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në si fituese absolute e vullnetit të elektoratit maqedonas’’ thekson ai.

Tutje Ibrahimi nga VLEN deklaron se mund të mos e pëlqen faktin zgjedhor, por që nuk janë ata që mund ta ndryshojnë vullnetin politik të palës maqedonase.

‘’Neve mund të mos na pëlqejë ky fakt, mund t’i kemi vërejtjet tona për diskursin e tyre nacionalist, siç mund të kenë edhe ata vërejtje për qëndrimet tona, por ne nuk jemi ata që mund ta ndryshojmë vullnetin politik të votuesve maqedonas, siç nuk mund ta gjykojnë as ata vullnetin e elektoratit shqiptar’’ vlerëson ai.

Për të, rezultati zgjedhor i detyron të negociojnë për parimet e bashkëqeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit e rrugën e integrimit.

 ‘’Ne jemi të detyruar të negociojmë për parimet e bashkëqeverisjes, për programin e përbashkët qeveritar, ku kemi çështje strategjike, si ruajtja e kursit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, pastaj lufta kundër korrupsionit, avancimi i shtetit të së drejtës, i arsimit, shëndetësisë etj. Nëse dakordohemi për këto çështje, do të kemi qeveri të përbashkët. Ne jemi mandatuar për t’i përfaqësuar shqiptarët në qeveri dhe do të jemi aty për t’i mbrojtur interesat e elektoratit tonë shqiptar’’ përfundon për FrontOnline, Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN.

 

Komento: