Ibrahimovic – Milan, po ndodh e shumëpritura

18:02 | 15 Gusht 2020

Vazhdojnë negociatat mes Ibrahimovicit dhe Milanit.

Sipas mediumeve të shumta italiane, negociatat mes Zlatan Ibrahimovicit dhe drejtuesve të Milanit për zgjatjen e kontratës së suedezit po vazhdojnë ende, përkundër që ka dallime të mëdha mes kërkesave të sulmuesit dhe ofertës së kuqezinjve.

Zlatan Ibrahimovic u transferua në Milan si lojtar i lirë gjatë afatit kalimtar të janarit, kur nënshkroi kontratë gjashtëmujore. Ai i ndihmoi kuqezinjve të përmirësohen dukshëm dhe të arrijnë në top gjashtëshe të Serisë A këtë sezon.

Shkaku i ndikimit të mirë që ka pasur suedezi në skuadrën e Milanit, drejtuesit e klubit italian dëshirojnë ta mbajnë atë në skuadër edhe më tutje dhe për këtë arsye i filluan negociatat me Ibrahimovicin për zgjatje të kontratës.

Sportmediaset dhe Gazzetta dello Sport pretendojnë se Milani po i ofron Ibrahimovicit pagë prej gjashtë milionë eurosh në vit, përfshirë këtu disa bonuse të ndryshme, përderisa 39-vjeçari kërkoi që paga e tij të ngrihet në 7.5 milionë euro në vit.

Gazetari i famshëm italian, Gianluca di Marzio, raporton se ka ende dallime të mëdha mes kërkesave të Ibrahimovicit dhe ofertës së Milanit, mirëpo thotë se të dyja palët duan të vazhdojnë bashkëpunimin edhe më tutje.

Përkundër që iu bashkua Milanit vetëm në janar, si transferim i lirë nga Los Angeles Galaxy, Ibrahimovic e mbylli sezonin e Serisë si golashënuesi më i mirë i Milanit, me dhjetë gola të shënuara në 18 ndeshje.

Komento: